Sport-Merkato/ Lorik Cana: "Shans Të Luaj Në Një Klub Si Gallatasaraj"
TIRANË, 11 Korrik/ ATSH- Gjergji Mima/. - Lorik Cana prezantohet zyrtarisht me fanellën e Gallatasarajt. Ylli më i ri skuadrës turke ka kaluar me sukses kontrollin mjekësor dhe ka folur për herë të parë si futbollist i Gallatasarait.
Në spitalin "Bahçelievler Medical Park" Cana i është nënshtruar kontrollit ritual mjeksor, që është kaluar pa problem nga lojtari. Sipas mediave turke, blerja e Canës ka qënë e goditur nga ana e klubit verdhekuq. Në intervistën e parë me fanellën verdhekuq të ekipit elitar turk, Cana ka shpjeguar arsyet që e detyruan të pranojë ofertën e Gallatasarait.
"Sigurisht që nuk e pata të lehtë të merrja këtë vendim. Drejtuesit e Sandërlendit kohët e fundit ma patën bërë të qartë që, nëse do të vinte ofertë e mirë për mua, mund të largohesha. Gallatasarai u interesua në fillim të muajit dhe bisedimet u zhvilluan shumë shpejt. Tashmë jam i Gallatasarajit", u shpreh mesfushori. Cana ka shpjeguar se një ndikim të madh në marrjen e këtij vendimi ka pasur edhe babai i tij, që njëkohësisht është edhe menaxheri i tij personal.
Agim Cana, babai i Lorikut, ka nënshtetësi turke dhe është një menaxher që ruan marrëdhënie të mira me ekipet turke. Cana i është përgjgijgur pyetjeve të shumta të bëra nga gazetarët turq lidhur me eksperiencat e tij të mëparshme tek Sandërlendi dhe ekipi i Marsejës. "Tek këto ekipe kam kaluar kohë të bukura dhe nuk do t'i harroj lehtë", është shprehur Cana.
"Por tashme ato i mbeten së kaluarës. Tifozët e Sandërlendit me kanë mbështetur shumë dhe janë treguar shumë të dashur me mua. Prandaj nuk do t'i harroj kurrë", shtoi ai. Përsa i përket skudrës së re, Cana ka thënë se do të japë maksimumin tek Gallatasarai për të justifikuar besimin dhe mbështetjen që po i japin drejtuesit e klubit dhe tifozët e flaktë. "Për mua është një shans që do të luaj në një klub prestigjioz dhe do të stërvitem nga një trajner kaq i madh si Frenk Rajkard", theksoi zëvendëskapiteni i kombëtares kuqezi.
Sipas mediave turke, Lorik Cana mund të marrë pasaportën turke, duke ditur që babai tij mban prej vitesh dy nënshtetësi, franceze dhe turke. Përfaqësuesi i ekipit të Galltasarait, Adnan Sezgin, është shprehur se klubi do të punojë që t'i mundësojë Canës nënshtetësinë turke dhe kjo gjë me shumë mundësi do të ndodhë vitin e ardhshëm./s.s./