English

Vlore: Historia Dhe Monumentet Natyrore Per Turizmin

VLORE,11 Korrik/ATSH-H.Koçi/.-Vlerat historike dhe ato natyrore në Vlorë, përbëjnë resurse të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Studiuesi vlonjat, prof.dr.Bardhosh Gaçe, thotë për ATSH-në se, "një element mjaft pozitiv dhe i veçantë është fakti se, disa nga peizazhet turistike të Vlorës si, Parku Kombëtar i Llogorasë, Laguna e Nartës, Laguna e Orikumit, Kompleksi Natyror Nartë-Zvërnec-Treport, Pylli i Pishë Poros, si dhe Parqet Arkeologjike Kombëtare të Orikut e Amantias, janë përfshirë në mjaft projekte e guida të Qendrës Mesdhetare të Turizmit". "Roli i monumenteve të natyrës, kulturës dhe historisë është i pranishëm në zhvillimet turistike. Mjaft prej tyre me vlera arkeologjike e etnokulturore, kanë përftuar statusin e veçantë nga shteti shqiptar si Monumente Natyrore apo Monumente Kulture", thotë Gaçe. Sipas tij, në rajonin turistik të Vlorës në këtë listë objektesh përfshihen 77 prej tyre. Në inventarizimin e tyre përmblidhen vlera të rralla shkencore, estetike, kulturore, historike, didaktike, kulti dhe turistike. Këto monumente janë jo vetëm dokumenta të gjalla që flasin për zhvillimin ekonomik, shoqëror, kulturor e artistik të epokës që i krijoi, por edhe për periudhat e mëvonshme. "Mes tyre, kisha e Marmiroit në Orikum, ajo e Armenit, qendra e peshkopatës në Himarë, Kaninë e gjetkë, kalaja e Gjon Boçarit në Tragjas, Kalaja e Himarës, ajo e Kaninës, e Porto Palermos, e Katafiqit në Kuç, Mozaiku i Mesaplikut, Mozaiku i Sherishtës dhe Gorrishtit, shkrimet e Gramatës, Shpella e Haxhi Alisë, Shpella e Velçës dhe ajo e shkruar e Lepenicës, si dhe stadiumi antik i Amanties, përbëjnë objekte muzeale të hapura të kulturës së lashtë të kësaj treve", shprehet studiuesi vlonjat. Ai thotë se, këto vlera të kulturës, historisë dhe artit, kanë nisur dhe duhet të vazhdojnë të promovohen për publikun shqiptar dhe vizitorët e huaj, "sepse, përmes tyre si dhe historisë që ato mbartin, shihet edhe mundësia e njohjes së kulturës midis popujve të Mesdheut". -Vlora, e pasur me monumente historike dhe kulti- Një vlerë e veçantë e kulturës popullore në rajonin e Vlorës, janë edhe monumentet e kultit dhe ato historike si afreskat dhe ikonat, punimet e gurit, punimet e drurit etj. Në seicilin prej këtyre objekteve, gjatë periudhave të ndryshme kanë punuar piktorë dhe mjeshtra, që kanë përjetësuar artin e kohës kur kanë jetuar. Gaçe veçon dy nga piktorët e shquar europianë, Mikelin e Vlorës që ka lënë disa nga pikturat e rralla në kishat e Napolit dhe të Venecias, si dhe David Selenicasin, që, siç shkruhet në afreskat e malit Athos në Greqi, ishte me origjinë nga Vlora. Sipas tij, piktori i madh shqiptar Onufri, në shek. XVI ndërtoi dy kisha në Jonufër, në njërën prej të cilave ai grumbulloi 9 piktorë të vegjël, të cilët, si nxënës të tij prodhonin ikona dhe mësonin në fushën e pikturës murale. /f.n/
KOMENTE