Zqrpp, "Linjë Direkte" Për Transparencën Dhe Luftën Antikorrupsion
TIRANE, 11 Korrik/ATSH/.- Ditën e hënë pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP), fillon shërbimi i numrit jeshil "Linja Direkte".
Zyra e shtypit e ZQRPP bëri të ditur sot se "Linja Direkte", "është ideuar dhe realizuar duke pasur si objektiv të saj kryesor, transparencën dhe luftën antikorrupsion". Në funksion të këtij objektivi, kjo linjë do të sigurojë mundësinë për publikun në depozitimin e mesazheve dhe ankesave të mundshme të tij për vonesa dhe shërbime të papërshtatshme, apo edhe për denoncime të praktikave korruptive, të përpunojë e vlerësojë informacionin, të adresojë për zgjidhje, në bazë të ligjeve dhe rregullave të gjitha çështjet, si dhe të vendosë një komunikim efikas dhe të ndërsjellët me publikun.
Për të gjitha këto, të cilat qëllim kryesor kanë një komunikim efikas dhe të ndërsjellët me publikun, në përputhje me përmbushjen e rregullave dhe përmbajtjen e etikës, "Linja Direkte", mundëson një komunikim me publikon, nëpërmjet mesazheve zanorë në numrin e telefonit të ZQRPP-së, 2403305; SMS-ve në numrin mobile (celular) 0 67 20 20 234, E-mail në adresën elektronike e-mail: ankesa@zrpp.gov.al; dhe regjistrimin e mesazheve në faqen zyrtare të internetit të ZRPP-së, www.zrpp.gov.al.
Nga ana tjetër, "Linja Direkte", do të jetë një ndihmë edhe për vetë ZQRPP-në, për të adresuar dhe evidentuar problemet e mundshme të saj. Në përmbushje të objektivit të tij kryesor, si edhe në funksion të ndërtimit të marrëdhënieve sa më të drejtpërdrejta me publikun, projekti "Linja Direkte", parashikon dhe realizon një cikël të mbyllur të mesazheve dhe ankesave që mbërrijnë nga publiku. Projekti, nëpërmjet këtij sistemi, parashikon dhe mundëson depozitimin, vlerësimin, përpunimin, bashkëpunimin, zgjidhjen e problemit, kthimin e përgjigjes, si edhe mbylljen me sukses të mesazheve dhe ankesave të mundshme të mbërritura./s.s./