"A.E. Distribution": Kasat Fiskale, Të Sofistikuara, Çmime Të Arsyeshme
TIRANË, 12 Korrik/ATSH-Erla Gjikolli/- Kompania "A.E. Distribution", e autorizuar nga Ministria e Financave për pajisjen e bizneseve me kasa fiskale, deri tani ka pajisur rreth 45% të tregut të bizneseve VIP, të mesëm dhe të vogël.
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë "A.E. Distribution", Bledar Balla, shpjegon për ATSH-në procesin e vendosjes së tyre, duke theksuar rregullin e kasës me një rul dhe shirit kontrolli me format elektronik, pasi për vendosjen e kasave, Ministria e Financave ka nxjerrë një udhëzim që parashikon vendosjen e standardeve të reja te këto pajisje me qëllim, rritjen e sigurisë.
Nxjerrja e udhëzimit të Ministrisë së Financave, edhe pse ka vonuar procesin e pajisjes së biznesit me kasat fiskale, synon rritjen e sigurisë dhe garancisë për të gjithë klientët.
Balla thotë se ndryshimet e bëra së fundmi garantojnë dhe mbrojnë të gjithë tatimpaguesit mbi cilësinë dhe funksionimin e pajisjeve fiskale, si dhe për konkurrencë të ndershme midis shoqërive.
"Ndryshimet teknike që na kërkohen, detyrojnë të gjithë shoqëritë e autorizuara të mos mendojnë vetëm për shitjen e kasës, por edhe zbatimin e standardeve specifike", tha Balla.
Ai shton se sipas vendimit, të gjitha ndryshimet duhet të bëhen dhe përballohen nga vetë shoqëritë e autorizuara, ndërsa të gjithë pajisjet e shitura deri tani, duhet t'u përshtaten këtyre standardeve.
Sipas Ballës, "të gjitha pajisjet që nuk përmbushin kushtet teknike të përcaktuara nga qeveria dhe Ministria e Financave, shoqëritë e autorizuara duhet t'i ndërrojnë me kasa fiskale sipas standardit të ri dhe pa kosto për tatimpaguesin".
Për të garantuar standarde sa më të larta për pajisjet fiskale, qeveria i ka ndryshuar disa herë procedurat për vendosjen e kasave, nisur dhe nga problemet e konstatuara gjatë procesit të vendosjes së tyre.
Balla gjykon se procesi i zbatimit të pajisjeve fiskale në tërësi është kompleks, pasi është lidhet ngushtë me logjikën funksionale që përcaktohet nga VKM-të dhe udhëzimet e Ministrisë së Financave, me përgatitjet teknike dhe plan-bizneset e shoqërive të autorizuara.
"Por që ky proces të realizohet me sukses, duhet që të gjitha hallkat të funksionojnë", vë në dukje ai, duke vlerësuar se kompania e tij i gjykon normale të gjitha ndryshimet që ka bërë qeveria kohët e fundit.
Duke u bazuar në eksperiencat e vendeve fqinje, të cilat kanë zbatuar pajisjet fiskale, ndryshimet teknike janë të vazhdueshme për vetë problemet që dalin gjatë zbatimit.
"Edhe në vendin tonë, fillimi i zbatimit të sistemit nxori në pah problemet e para. Pjesa më e madhe e vështirësive erdhi nga puna e dobët teknike e disa shoqërive të autorizuara, si dhe nga dëshira e vetme për të fituar, duke e reflektuar atë me hedhjen në treg të pajisjeve me cilësi të dobët", argumenton Balla.
Ai shpjegon se udhëzimi i fundit i Ministrisë së Financave parashikon që të gjitha pajisjet, të transmetojnë çdo ditë të dhëna në mënyrë automatike, menjëherë pas mbylljes së raportit tatimor ditor.
Procesi do të administrohet direkt nga Tatimet në të gjitha fazat, që nga kërkesa për t'u pajisur me pajisje fiskale pranë shoqërive të autorizuara, instalimi, apo dhe të gjithë tipet e ndërhyrjeve teknike.
Balla thekson se vendimi i Këshillit të Ministrave dhe udhëzimi i fundit e kanë cilësuar të parregullt pajisjen fiskale me dy rule letër. "Duhet pajisje me një rul letre për kuponin tatimor dhe shiritin e kontrolli në format elektronik", shpjegon ai.
Lidhur me koston e kasave, Balla shpjegon se "Po të bëjmë një analizë të kostove të kasave me koston e të gjithë struktures dhe vlerën reale që kanë në treg, çmimi i kasave nuk konsidertohet i shtrenjtë".
Kompania "A.E. Distribution", i importon kasat nga Italia, që sipas Ballës, sot janë më inteligjente, me moderne dhe të sofistikuara. Çmimi maksimal i kasave në varësi të opsioneve arrin deri në 550 euro. Afati i përdorimit të një kase, ashtu sic e përcakton ligji është minimalisht 1800 raporte tatimore që nënkupton 1800 ditë pune. Më pas në momentin që mbushet ky afat, tatimpaguesi mban të njëjtën pajisje, vetëm ndërron memorien fiskale dhe shiritin e konrollit dhe më pas shtohen dhe 1800 ditë të tjera", sqaron Balla.
Instalimi i kasave ka kaluar në disa etapa, duke nisur fillimisht për bizneset VIP me afat deri më 31 maj 2009, për bizneset e mesme deri në 31 dhjetor 2009, ndërsa dhe 31 qershori 2010 shënoi edhe afatin për pajisjen e bizneseve të vogla.
Gjatë 20 viteve të fundit është tentuar vazhdimisht instalimi i pajisjeve fiskale te subjekteve private. Por këtë vit Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e ka shpallur këtë projekt prioritar, duke deklaruar vazhdimisht se nuk ka kthim prapa.
Kompania "A.E. Distribution" është një nga 5 firma të licencuara nga ministria e Financave për pajisjen e bizneseve me kasa fiskale. Por deri tani, ajo mbetet e vetmja e rilicencuar pasi ka kaluar testin e provës për teknologjinë që po përdor për këtë qëllim. Së shpejti në treg pritet të veprojnë dhe dy të tjera, që janë ende nën testimin./n.m/
-
Erjona Eri15:50 - 04 Nëntor 2011sa arrin cmimi minimal i kasave?