Ambasadori Belg: Zgjidhja E Krizës Në Mënyrë Transparente Dhe Kushtetuese
TIRANE, 12 Korrik/ ATSH, A.Gegvataj/ - "I bëj thirrje mazhorancës dhe opozitës që të punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje për situatën në të cilën gjendeni dhe t'i shikojnë çështjet në mënyrë transparente dhe kushtetuese", u shpreh sot Ambasadori i Belgjikes, Marc Michielsen gjatë prezantimit të programit te Presidences Belge te Bashkimit Evropian.
Michielsen tha se"kemi shprehur shqetësimin tonë për ngërçin politik, i cili ka të bëjë me dialogun politik në vënd si dhe moszgjidhjeve të atyre çështjeve që kanë mbetur në lidhje me zgjedhjet e vitit të shkuar".
Duke bërë të ditur se për këtë çështje, do të zhvillojë takim edhe me përfaqësues të opozitës, Ambasadori Michielsen nënvizoi se "unë kam dhënë mesazhin se në mënyrë që të ecim përpara, na duhen sinjale pozitive".
Ambasadori belg bëri të ditur se "në muajin nëntor, KE do të japë një opinion për Shqipërinë dhe mbi bazën e këtij opinioni, Presidenca Belge do të ketë mundësi ta ndjekë atë më tej".
Ai nënvizoi se "kanë mbetur edhe disa muaj deri në fillim të nëntorit dhe shpresa jonë si përfaqësues të presidencës së BE-së është që këto sinjale pozitive mund të jepen".
Duke iu referuar rezolutës së miratuar nga PE pak ditë më parë, Ambasadori i Belgjikës deklaroi se "kjo rezolutë duhet të lexohet në mënyrë të kujdesshme nga udhëheqësit politikë dhe partitë politke në Shqipëri, që të mund të përdoret si baza për progres për ecuri përpara".
Sipas tij, për Presidencën Belge, procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë është një procës teknik dhe jo politik.
"Do të ketë një mision të ekpertëve të BE-së që do të shikojnë se çfarë ecurie ka patur për plotësimin e tre kërkesave të mbetura dhe në bazë të përfundimeve që do të nxjerrin ata, edhe ne do të shikojmë se si do të vazhdojmë të ecim përpara", tha ai.
Ambasadori i Belgjikës, Marc Michielsen deklaroi se "nëse do të ketë sinjal pozitiv, atëherë kjo çështje do të çohet më tej në nivel politik, por nuk do të jetë një dialog politik"./n.m/