English

Ambasadori Michelsen Konfirmon Mbështetjen E Presidencës Belge Për Liberalizimin E Vizave

-Kryeparlamentarja takon ambasadorin belg Michelsen, vendi që ka kryesinë e radhës së BE-së- TIRANË, 12 Korrik/ATSH/.- Ambasadori i Belgjikës në Tiranë, Marc Michelsen në takimin sot me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, konfirmoi mbështetjen e presidencës belge të BE-së për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas një njoftimi për shtyp, kryetarja Topalli shprehu gadishmërinë e maxhorancës për zbatimin në çdo paragraf të rezolutës për Shqipërinë, e miratuar së fundi nga Parlamenti Europian. Pasi i uroi suksese Belgjikës në 6-mujorin e presidencës së saj ajo tha se "në këtë periudhë ne presim ngjarje të mëdha për shqiptarët". Gjatë takimit u diskutua dhe rezoluta e PE-së, e cila konfirmon mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Kryetarja e Kuvendit e cilësoi këtë dokument realist dhe objektiv, ndërsa shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe vlerësimin e parlamentarëve evropianë dhe autoriteteve belge për reformat në Shqipëri. Duke trajtuar çështjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 Qershorit, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi qëndrimin e qartë të PE-së, që nuk lë vend për spekullime. Ajo tha se ne e mbështesim rezolutën në çdo pikë të saj. "Ne jemi të gatshëm në zbatimin e saj në çdo paragraf. Uroj që puna për implementimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR të fillojë sa më parë" u shpreh kryeparlamentarja. Gjatë këtij takimi ishte i pranishëm dhe Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian, Helmuth Lohan. /a.s//n.m/
KOMENTE