Berisha: Maxhoranca Ka Vullnet Të Plotë Për Zbatimin E Rezolutës Së Pe-Së
- Kryeministri Berisha mandaton takim në nivel kryetarësh të grupeve parlamentare (PD-PS) për të diskutuar mbi
zbatimin e rezolutës së PE-së -
TIRANË, 12 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha mandatoi sot, kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi që të takojë kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi për të nisur sa më parë punën për zbatimin e rezolutës së Parlamentit Europian për Shqipërinë.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha garantoi se maxhoranca ka vullnet të plotë për të zbatuar këtë rezolutë.
"Kjo është një rezolutë e rëndësishme dhe më mbështetësja për Qeverinë dhe shoqërinë shqiptare në tërësi në tërë historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me PE-në. Ne kemi vlerësuar këtë rezolutë në çdo pikë të saj dhe angazhohemi për zbatimin e saj pikë për pikë", tha Berisha.
Pasi kërkoi takim në nivel kryetarësh të grupeve parlamentare (PD-PS) për të diskutuar mbi konkretizimin e rezolutës, Berisha tha se "nëse opozita kërkon të riformulojë komisionin hetimor, le ta diskutojnë pasi ne nuk kemi kundërshtim".
"I gjithë ky proces ka faktuar në mënyrë të qartë se në terrren është plotësisht e mundshme transparenca dhe funksionimi i shtetit ligjor. Nëse ekziston vullnet nga PS, edhe unë nuk kam pse ta vë në dyshim, le të diskutojnë kryetarët e grupeve parlamentare, nëse opozita do komisionin ekzistues, apo kprkon të ngrejë një komision tjetër", tha Berisha.
Ai garantoi se "PS do të ketë kryetarin dhe shumicën në votim në këtë komision", ndërsa theksoi se "objektin e tij e ka përcaktuar qartë rezoluta e PE-së e cila thotë për hetimin e materialeve të votimit".
"Tani duhet përcaktuar metodika në zbatim të ligjit. Nëse insistojnë për rinumërim të votave në mënyrë absolute nuk kemi asnjë gjë kundër rinumërimit të çdo vote dhe ndryshimit të çdo rezultati, veçse kjo mund të bëhet vetëm mbi bazën e respektimit të plotë të Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatave", tha Berisha.
Ai theksoi se është i gatshëm të zbatojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese, në rast se Rama dëshiron t'i drejtohet asaj.
"Ai mund t' drejtohet edhe Gjykatës së Strasburgut. Qeveria ime çdo javë vendos për zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Starsburgut sado të kushtueshme që mund të jenë ato. Në përputhje me Kushtetutën e këtij vendi Gjykata e Strasburgut prevalon mbi gjykatat e vendit. Në rats se dëshiron, le ti kërkojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të procedojë sipas ligjit me kutitë, votat dhe të gjitha", tha Berisha.
Kreu i Qeverisë kërkoi që të fillojë puna për zgjedhjet e ardhshme dhe të hartohen amendamentet më të mira. "Opozita le të hartojë amendamentet në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it për zgjedhjet. ti votojmë ato dhe të shkojmë drejt zgjedhjeve të ardhshme si një shoqëri e lirë", tha Kryeministri Berisha./n.m/