Berisha: Qeveria E Vendosur Për Të Realizuar Çdo Reformë Që I Shërben Integrimit Të Vendit
- Kryeministri Berisha pret Ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës, Mark Mishelsen -
TIRANË, 12 Korrik/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha konfirmoi sot vendosmërinë e qeverisë për të realizuar çdo reformë, në mënyrë që Shqipëria të përparojë dhe të ecë sa më shpejt në realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për integrimin në familjen evropiane dhe liberalizimin e vizave.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës në Shqipëri, rezident në Sofje (Bullgari), Mark Mishelsen, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë. Në takim ishte i pranishëm edhe Kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadori Helmut Lohan.
Qëllimi i vizitës së ambasadorit ishte prezantimi i përparësive të qeverisë belge në çështjet e politikës së jashtme dhe të integrimit për periudhën, gjatë së cilës Belgjika ka Presidencën e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Berisha falënderoi ambasadorin belg për mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve, në veçanti për integrimin në Bashkimin Evropian.
Berisha shprehu bindjen se "Presidenca belge do të jetë një presidencë e suksesshme në realizimin e prioriteteve dhe objektivave që kanë si përparësi, projektin madhor të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian".
Kryeministri theksoi gjithashtu se "qeveria shqiptare e konsideron procesin e integrimit, si një proces të bazuar mbi performancën individuale, si platforma më e mirë për standardet dhe të ardhmen e qytetarëve shqiptare".
Ai nënvizoi arritjet e qeverisë shqiptare në shumë fusha si lufta kundër krimit e korrupsionit, realizimin e veprave madhore në fushën e infrastrukturës, reformat e mëdha në fushën ekonomike dhe atë fiskale, Shqipëria në moshën dixhitale etj.
Duke bërë një ekspoze të prioriteteve të Presidencës belge të BE, ambasadori Mishelsen veçoi bashkëpunimin në fusha të rëndësishme dhe prioritare, që kanë të bëjnë me situatën ekonomike, përballimin dhe tejkalimin e pasojave të shkaktuara nga kriza globale.
Ai theksoi politikat që do të ndjekë Presidenca belge në dimensionin social për varfërinë dhe papunësinë, politikat në fushën e ekologjisë dhe mbrojtjen e mjedisit, në luftën kundër krimit dhe rreziqeve të tjera dhe ndër prioritetet më të rëndësishme ishte vazhdimi i zgjerimit të BE, në veçanti me vendet e Evropës Juglindore.
Në këtë pikë, Ambasadori Mishelsen vlerësoi arritjet e Shqipërisë në këtë periudhë dhe konfirmoi angazhimin e qeverise belge për të mbështetur Shqipërinë në përpjekjen e saj për integrimin e shpejtë në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu, ambasadori e siguroi Kryeministrin Berisha edhe për angazhimin e Presidencës së Bashkimit Evropian për vijimin me ritme të shpejta të zgjerimit të BE në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore sipas specifikave të çdo vendi./m.m//n.m/