Bode Ne Kuvend: Rritja Ekonomike 4.1 %
-Ministri i Financave, Ridvan Bode paraqet ndryshimet ne buxhetin e shtetit per vitin 2010-
TIRANE, 12 Korrik/ATSH-E.Xhajanka/ . Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi të hënën në komisionin e Ekonomisë në Kuvend, se, rishikimi i buxhetit për 6-mujorin e dytë të vitit, parashikon që rritja ekonomike të jetë 4.1 %, nga 5.5 % që ishte programuar në buxhetin e fillimvitit 2010.
Gjatë prezantimit të p/ligjit për rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2010 në Komisionin e Ekonomisë, ministri Bode tha se "p/ligji për disa ndryshime në ligjin për buxhetin e shtetit për vitin 2010 vjen pas një reflektimi disa mujor nga ana e qeverisë dhe merr në konsideratë nevojën për maturim në politikat që kanë të bëjnë me vitin 2010".
Shefi i financave tha se "niveli i borxhit është 59. 5 % i GDP-së, nivel ky që do të ruhet gjatë 2010, që sipas tij, "nuk përbën problem". Më tej, Bode shtoi se "deri më 2013 ky borxh të zbresë në 54 %".
Sipas tij, rishikimi i buxhetit konsiston në përmirësimin e zërave të miratuar të tij.
Ministri i Financave, Bode bëri të ditur se parashikohet ulje prej 20 miliadë lekësh në investimet publike, të ardhurat në buxhetin e shtetit parashikohen të ulen në 27. 3 miliardë lekë dhe gjithashtu, parashikohet ulje të shpenzimeve deri në 39 miliardë lekë. Bode u shpreh edhe se të ardhurat në buxhetin e shtetit propozohen të ulen me 27.2 miliardë lekë.
"Kjo ulje e të ardhurave në buxhetin e shtetit reflekton ritmet e brendshme të zhvillimit të rritjes ekonomike, të cilat kanë qënë të programuara në mënyrë normale dhe optimiste në buxhetet e mëparshme", tha Bode.
Ai shtoi se "ne programojmë në buxhetin e rishikuar një rritje të të ardhurave prej 11.4 % më shumë në krahasim me faktin e vitit 2009 nga 20 % që ishte parashikuar në fillim të vitit".
Por, sipas ministrit të Financave, gjithsesi kjo përbën një rritje më të lartë se mesatarja 10-vjeçare.
"Të ardhurat në buxhetin e shtetit do të jenë 334 miliardë lekë", tha ai, ndërsa shtoi se "ulja e të ardhurave në sektorin e tatimeve dhe doganave është 16 miliardë lekë, në sektorin e pushtetit lokal 5.5 miliardë lekë, kontributet e sigurimeve shoqërore ulen me 7.8 miliardë lekë dhe rriten të ardhurat jo- tatimore me 4 miliardë lekë".
Shpenzimet e buxhetit të shtetit, sipas kreut të financave publike, ulen me 39 miliardë lekë. Por ministri Bode dsklaroi se "ulja e shpenzimeve nuk prek disa nga prioritetet e deklaruara të qeverisë. Kjo ulje e shpenzimeve na çon në atë që kemi deklaruar se niveli i shpenzimeve publike nuk duhet të jetë më i madh se 1/3 e PBB-së. Ky ka qënë objektivi ynë".
Bode tha se "politika që kemi shpallur për një reduktim të shpenzimeve buxhetore përbën një realizim të objektivit për një qeverisje të vogël dhe të kontrolluar në raport me biznesin privat".
Në këtë drejtim ai u shpreh se "nuk prekëm pagat, përkundrazi i rritëm rreth 16 miliardë lekë dhe pensionet, që edhe këtë vit patën një rritje", duke theksuar se dhe pjesa e pensioneve në strukturën e buxhetit të shtetit ka ardhur në rritje, sikurse të gjitha shërbimet sociale kanë ardhur duke u rritur nga 6.7 % në vitin 2005 janë 8.9 % të PBB së.
Sipas Bodes, ato që pësojnë ulje të ndjeshme, janë shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes, ku pjesën kryesore e kanë patur shpenzimet qeveritare dhe administrative me 22 %, që ka prekur të gjitha institucoinet.
Bode nënvizoi se "me disa reforma që kanë të bëjnë me transportin dhe me disa reforma të tjera që janë duke u thelluar, e zbresin në minimumin historik të nivelit të shpenzimeve administrative, në 2.5 % të PBB-së".
Shpenzimet qeveritare zbresin në 0.5 % të PBB-së nga 1.5 % PBB-së që kanë qënë në vitin 2005. Investimet publike, po ashtu, sipas Bodes, pësojnë një rënie. "Vëllimi i shpenzimeve kapitale zvogëlohet rreth 19 miliardë lekë nga 86 miliard të programuara në fillim të vitit", vijoi Bode.
Kreu i financave publike theksoi se është parashikuar bllokimin e tenderimit të veprave të reja dhe intensifikimin e financimit të veprave ekzistuese. "Në këtë buxhet, megjithë shkurtimet e bera, ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit për veprat në proces i janë shtuar 4.3 miliardë lekë në krahasim me fillimvitin", tha Bode.
Sipas tij, "këto operacione çojnë në një ulje të mëtejshme të defiçitit buxhetor, duke zbritur programin e vitit 2010, nga 4 % të PBB-së të programuar, në 3.3 % të PBB-së, që është niveli më i ulët historik i realizuar ndonjëherë me përjashtim të viteve 2006-2007, ku niveli i defiçitit ka qënë 3.4-3.5 % e PBB-së".
Deputetët e opozitës në komision thanë se rishikimi i buxhetit duhet të kish ardhur më parë për diskutim.
Deputeti i PS-së, Arben Malaj, tha se "niveli i ulët i të ardhurave tregon se kemi një ekonomi me probleme", ndërsa vuri theksin se, "prekja e fondeve publike, do të ulë ritmet e investimeve".
Deputetja Mimi Kodheli u shpreh se "rishikimi i buxhetit ka mungesë të transparencës dhe ai nuk është diskutuar me grupet e interesit". Sipas saj, "niveli i borxhit publik qëndron në shifra më të larta se treguesit standart, cka tregon se ekonomia është në krizë", tha ajo.
Partia Socialiste ditë më parë kërkoi dorëheqjen e ministrit të Financave, si rezultat i mosmenaxhimit të krizës ekonomike në vend dhe rritje të borxhit. Për PS-në, në mungesë të ndonjë privatizimi me peshë, gjithë presioni i financimit të deficitit buxhetor (4-6% GDP) për këtë vit i kalon tërësisht tregut të brendshëm, duke asfiksuar sektorin privat nga likuiditeti./n.m/