English

Botëror-Soft News/ Berisha, "Finalja E Kupës Së Botës, E Shkëlqyer"

TIRANË, 12 Korrik/ ATSH- Gjergji Mima/ - Emocionet e finales së Kupës së Botës "Afrika e Jugut 2010", Spanjë - Holandë, nuk kanë lënë pa prekur edhe Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili, si çdo të hënë, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, komentoi ndeshjet e fundit të kampionatit botëror. "Kupa e Botës ishte ngjarja më e madhe për këtë muaj, që paralizoi krejtësisht edhe politikën, pasi vëmendja e njerëzve ishte gjithnjë tek futbolli', u shpreh Berisha. "Mbrëmë u luajt finalja e Kampionatit Botëror në futboll, e cila i vuri kurorën mbretërore kampionatit. Megjithë dëshirën e madhe që kisha të shihja në kolektiv një nga ndeshjet më të bukura, nuk ia lejova vetes, pasi e dija që çdo kolektiv do të ishte i ndarë në tifoza, kurse unë do të ndërroja kampin nga njëra skuadër tek tjera dhe aty do të dukej shumë e çuditshme. Ato pak ndeshje që ndoqa, i pashë në privatësi", tha ai Sipas Berishës, ky kampionat pati ndeshje shumë të mëdha, ndër më të shkëlqyerat në historinë botërore të futbollit. "Mendoj se duhen falenderuar ato skuadra që i dhuruan këto ndeshje. Finalja ishte një ndeshje e shkëlqyer. Spanja fitoi me dinjitet të plotë. Holanda humbi, por me dinjitet të plotë. Sepse edhe Holanda dhuroi një futboll të shkëlqyer. Morën një gol në kohën shtesë, por askush s'mund të thotë se Spanja nuk e meritoi fitoren dhe askush s'mund të thotë se Holanda nuk dhuroi një lojë të një niveli të lartë. Të dyja sëbashku ishin në lartësinë më të madhe dhe e rëndësishme është që futbolli këtë herë do të kishte një kurorë, pasi të dy vendet janë monarki. E mori Spanja dhe e meritoi plotësisht, ishte lojë e mrekullueshme', përfundoi komentin e tij mbi Botërorin, kryeministri Sali Berisha. /a.ke/
KOMENTE