Bregu Akuzon Ramën Për Mungesën E Shkollave Në Njësinë Nr. 9
TIRANË, 12 Korrik/ATSH/.-Deputetja e Partisë Demokratike e Tiranës, njëkohësisht edhe ministre e Integrimit, Majlinda Bregu, akuzoi sot kryetarin e bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, për mungesën e shkollave të mesme në njësinë bashkiake nr. 9.
Sipas Bregut, në një zonë ku jetojnë 25 mijë banorë, që përfshin unazën, rrugën 'Don Bosko' e deri tek 'Bregu i Lumit', nuk ka asnjë shkollë të mesme, por vetëm një shkollë 9-vjeçare dhe një kopësht.
"Ndërkohë, që në komuna të tjera të Shqipërisë, sikurse është komuna Kashar këtu afër, ka mbi tre shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë të mesme. Pra, në njësinë nr. 9 numri i popullatës nuk është i përfaqësuar me numrin e shkollave", tha deputetja Bregu.
Kjo situatë, sipas saj, nuk mund të zgjidhet, pasi trojet e ndërtimit nuk janë interesante për kreun e bashkisë së Tiranës, për të ndërtuar kopshte apo shkolla, por thjesht, sepse duhet të mbulojnë interesat e tij për të ndërtuar pallate shumëkatëshe.
"Kryetari i bashkisë bën gjoja sikur interesohet për qytetarët dhe del vetëm në ndonjë ditë të shënuar për të përuruar ndonjë shkollë apo kopësht, që mundësisht të rrethojë perimetrin rrotull bashkisë së tij dhe asnjë metër më tutje", deklaroi Bregu sot për gazetarët./s.s./