English

Ciko: Cilësia E Veprave Të Vëna Në Skenën E Tkob, Rrit Numrin E Spektatorëve

-Drejtori i TKOB, Zhani Ciko, shprehet në një intervistë për ATSH-në- TIRANË, 12 Korrik/ ATSH- Suada Daci/- Një sezon artistik me kryevepra shqiptare dhe botërore, kjo ishte ajo që prezantoi Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit gjatë sezonit janar-qershor 2010. Artistë të njohur nga Shqipëria, por edhe nga vende të ndryshme të botës, u ngjitën në skenën e TKOB dhe përcollën emocione tek publiku artdashës shqiptar. Drejtori i TKOB, Zhani Ciko, tregon në një intervistë për ATSH-në, arritjet e këtij sezoni, premierat e shfaqura, si dhe projektet artistike që pritet të nisin në tetor. "Skena është ajo që tregon reformat, konceptet e asaj çfarë teatri plotëson në misionin e vet, dhe në këtë drejtim kjo shtëpi e madhe e shqiptarëve në fushën skenike këtë vit ka disa arritje shumë të mira, për vetë faktin se cilësia dhe synimi i veprave që janë paraqitur kanë qënë të rëndësishme", thotë Ciko. Sipas tij, "gjatë këtyre 4-5 muajve pati 2 premiera kombëtare të rëndësishme, njëra ishte një rivënie pas 50 vjetësh e një vepre klasike të artit skenik shqiptar, baletit "Delina", i cili që në shfaqjen e parë diku nga fillimet e viteve '60, nuk njohu më shfaqje skenike, ndonëse është vlerësuar si një nga partiturat më me vlerë të muzikës shqitpare". "Rivënia në kushte të tjera, koregrafi, paraqitje e botës së legjendave shqiptare, është një element i madh i realizuar nga TKOB, duke gjetur edhe njeriun për dhënien e kësaj bote të madhe shqiptare, siç është mjeshtri Agron Aliaj", vlerësoi Ciko. Duke u ndalur te opera "Jeta është ëndërr ", e kompozitorit David Tukiçi, Ciko tha se "ajo ishte një premierë e rëndësishme. "Jeta është ëndërr" ne e realizuam duke i dhënë mundësi edhe atyre shqiptarëve, që nuk jetojnë brenda territorit të Shqipërisë, ta ndjejnë veten pjesë të këtij teatri". Ndërsa operan "Ana Bolena" të kompozitorit italian Gaetano Donizzeti, Drejtori i TKOB, Zhani Ciko, e cilësoi si një pikë referimi të rëndësishme. "Ishte një vepër e rrallë, që kishte kërkesa të mëdha artistike dhe që donte një kastë artistësh shumë të kualifikuar në fushën e belkantos". Sipas tij, " realizimi i Marjana Lekës, Armando Likajt, Vikena Kamenicës, korit, etj., ishte kënaqësi ndjellëse, sepse edhe specialistë të mirë të gjinisë së operas që nga Franca, Italia shprehën opinone shumë vlerësuese për të". Ciko vlerësoi mjaft edhe baletin "Karmen", i realizuar në bashkëpunim me Baleto del Sud, "Rigolleton", e cila ka njohur tre variante skenike, si dhe baletin "Zorba", të kompozitorit të madh grek Mikis Theodorakis, që siç e cilësoi ai, ishte një nga kopertinat e mbylljes së këtij sezoni. I pyetur se cila ka qënë premiera më e pëlqyer për spektatorin, duke marrë në konsideratë edhe numrin e shitjeve të biletave, Ciko tha se "pa iu referuar shifrave është evidente që një vepër popullore si "Zorba" nuk ka si mos ta mbushte sallën plot, madje e vendosur në kalendar edhe si një sfidë në ditët e botërorit, ajo u ndoq shumë, ndonëse vëmendja e njerëzve ishte e fokusuar në vende të tjera". "Këtë vit ka pasur sukses edhe baleti Karmen", tha Ciko, duke shtuar se "shitja e biletave nuk është treguesi kryesor sepse për mua realizimi i "Ana Bolenës", është një sfidë e madhe, dhe s'mund të ketë të njëjtën tërheqje që ka "Zorba", por ajo edukon, sjell një problematikë dhe ka një impenjim artistik të madh në vetvete". Duke u ndalur tek projektet dhe veprat që do të vihen në skenë në 1 tetor, kur do të rinisë sezoni i TKOB, Ciko tha se "këtë vit ne kemi një ngjarje të madhe, që është viti Nënë Tereza, për të cilët artistët do ndërpresin pushimet e tyre për të ardhur në kohën e duhur, për të festuar në ditën e lindjes së saj nëpërmjet një koncerti që është me përgjegjësi". Por shtoi ai, "dalja e parë në publik do të jetë në 1 tetor, me një evenimet shumë të madh, që është opera "Përrallat e Hoffmanit", e kompozitorit gjerman Jacques Offenbach, që është një bashkëpunim shumë i rëndësishëm i operas sonë me artistë francezë, ku në majë të gjithë këtij bashkëpunimi është sopranojna jonë Inva Mula". "Kjo do jetë një nga sfidat më të mëdha në karrierën e sopranos Inva Mula, sepse ajo do të interpretojë 3 role njëherësh në këtë premierë", tha Ciko, duke shtuar se "kjo është një premierë që po punohet me muaj më parë dhe shpresojmë që ardhja e artistëve e nivelit të lartë francez të na gjejë të përgatitur artistiksht në nivelin e duhur". /s.s./
KOMENTE