English

Durres: Studentët Dhurojne Tetë Skulptura Të Figurave Të Shquara Për Qytetin Antik

DURRES, 12 korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Mjediset e Bashkisë së Durrësit janë "plotësuar" sot paradite me tetë buste dhe ekustro, dhuratë nga studentët e sapodiplomuar të Akademisë së Arteve të Bukura për qytetin antik. Mbreti Epidamn, perandori i Bizantit Anastas, muzikanti i shquar i perandorisë bizantine Jan Kukuzeli, princi i Arbërit Karl Topia, filozofi, matematicieni dhe krijuesi i njërës nga përmendoret e muzikës arbërore të shekullit të XVI, antifonari, shkruar në pergamenë Gjergj Danush Lapacaja, filozofi e akademiku, Leonik Tomeu, arkitekti dhe skulptori i famshëm i mesjetës, Andrea Aleksi, kryediplomati i Skënderbeut dhe krijues i formulës së parë të pagëzimit në gjuhën shqipe, Pal Engjëlli, të gjithë personalitete të shquara në jetën 3000-vjeçare të qytetit bregdetar, janë punuar me dashuri nga grupi i studentëve, me drejtues pedagogun Fatos Kola. Ky grup e ka shtrirë veprimtarinë e vet edhe në qytetet e Tiranës, Burrelit, Rrëshenit dhe Beratit. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në sallën e këshillit bashkiak të Durrësit, piktori Naxhi Bakalli bashkë me vlerat profesionale dhe artistike të punimeve, nënvizoi humanizmin e studentëve diplomantë, që po sjellin një frymë të re të evidentimit të figurave të shquara të kombit. Kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, pasi falenderoi studentët për dhuratën e vyer, premtoi mbështetjen e plotë për t'i derdhur në bronx një pjesë të këtyre veprave, që të jenë pronë e të gjithë qytetarëve. Pedagogu Fatos Kola që drejton grupin e skulptorëve të sapodiplomuar Evis Kabilo, Arjona Memi, Perikli Hanxhari, Taulant Liçe dhe Benard Lekgegaj, tha se ndihet me fat që punon me një brez që meriton të mbështetet në veprimtarinë artistike. Kola tha se "akti i dhurimit do të zgjojë me siguri intelektualët, politikanët dhe drejtuesit në rivlerësimin e figurave të shquara historike anekënd vendit tonë". Ai tha se projekti që ka nisur në vitin 2007 me krijimin e disa busteve për Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë ështe rigjallëruar para një viti me nismën e studentëve, që pas hulumtimeve historike dhe artistike, kanë realizuar buste prej allçiu me lartësi 70 cm dhe ekuestro të larta 90 cm, të cilat janë bocete me vlerë për realizimin e monumenteve të ardhshme për muzetë dhe sheshet edhe në qytetet e Burrelit dhe Rrëshenit. Drejtuesja e projektit, Arjona Memi u shpreh e lumtur për kontributin që po jep për vendlindjen bashkë me shokët e saj skulptorë të rinj nga Durrësi, Berati, Mirdita dhe Mati. "Përfshirja në grupin tonë e ish-pedagogut të shkollës së mesme artistike të Durrësit, Gent Faja, është dëshmi e përqafimit të nismës sonë edhe nga artistë të tjerë, skulptorë të veprave monumentale", tha Memi, duke cmuar se janë mbështetur në veprat dokumentare të prof. Ramadan Sokolit dhe Moikom Zeqos, ndërsa kanë patur mbështetjen e plotë të mjeshtrave Naxhi Bakalli dhe Fatos Kola. "Do të vazhdojmë më tej në çdo cep të Shqipërisë, pasi duam të rikthejmë të gjitha figurat e shquara në tempullin e kujtesës sonë historike", tha Memi. Pedagogu Fatos Kola nënvizoi rëndësinë që do të ketë për të ardhmen mbështetja e pushtetit vendor në qytete dhe komuna të ndryshme të vendit. Skulptorët e rinj kohët e fundit kanë dhuruar 20 punime në qytetet e Rrëshenit dhe Burrelit, ndërsa do të jenë nesër në Berat me të njejtin mision atdhetar dhe artistik. /a.ke/
KOMENTE