Tiranë, 12 Korrik, NOA – Dyndja e emigrantëve nëpër pikat kufitare, ka nisur të bëhet mjaft e dukshme në këto ditë të nxehta vere dhe vetëm në muajin korrik, është shënuar hyrja e 113 mijë prej tyre.
Statistika konfirmohet nga burimet e policisë së Shtetit për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, në total, kufirin shqiptar e kanë kaluar në etapën e parë të sezonit turistik në total 202.459 persona, nga të cilët 113.255 janë shqiptarë dhe 89.204 të huaj.
Ndërsa për muajin qershor, këto burime japin shifrën prej 397.981 persona, nga të cilët 246.189 shqiptarë dhe 151.792 të huaj.
Sa u përket automjeteve, në muajin korrik kanë hyrë në kufirin shqiptar 61.783 të tilla, ndërsa në qershor 126.912 automjete.
Nga ana tjetër, forcat policore bëjnë me dijeni se meqë fluksi i personave që vijnë për të kaluar pushimet në vendin tonë është i lartë në këtë sezon, janë marrë një sërë masash me qëllim menaxhimin sa më mirë të tij si dhe për lehtësimin e procedurave të përpunimit të personave dhe automjeteve në pikat e kalimit kufitar në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Sikundër bëhet me dijeni se rëndësi u është kushtuar edhe bashkëpunimit me agjencitë e udhëtimit dhe agjencitë turistike, duke koordinuar për listat e udhëtarëve që lëvizin me avionë, tragete apo mjete të tjera për transport pasagjerësh, me qëllim përshpejtimin e procedurave të përpunimit të shtetasve dhe të mjeteve nëpërmjet një kontrolli efikas të kufirit.
Ndërkohë që janë porositur edhe strukturat vendore të Policisë Kufitare dhe të Migracionit, që të bashkëpunojnë me strukturat homologe policore të vendeve fqinje, si: Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Greqisë etj, me qëllim menaxhimin sa më mirë të fluksit të lëvizjes.
n.e/NOA