Energjia, Merxhani: Shqipëria, Mundësi Të Mëdha Për Investime
- Zhvillohet në Milano "Forumi Ekonomik dhe Financiar për Mesdheun"-
TIRANE, 12 Korrik/ATSH/.- Drejtoresha e Përgjithshme e Projekteve dhe Bashkëpunimit Ekonomik në ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Matilda Merxhani, theksoi në Forumin Ekonomik dhe Financiar për Mesdheun, që u zhvillua në Milano të Italisë, se Shqipëria ka mundësi të mëdha për investime ne energjetikë.
Sipas njoftimit të METE-s, znj. Merxhani ishte e pranishme në panelin që diskutoi për energjinë mbi temën "Energjia për Mesdheun: Harmonizim i tregjeve, zhvillim i rrjeteve, burime energjie të rinovueshme", gjatë të cilit u diskutua gjerësisht mbi projektet në fushën energjetike.
Gjatë diskutimit të tyre, përfaqësues të kompanive ENEL dhe Moncada Grop e konsideruan Shqipërinë si një nga vendet potenciale ndër vendet e rajonit përsa i përket sektorit energjetik. Ata theksuan faktin se, Shqipëria paraqet shumë mundësi për zhvillim dhe investim në sektorin energjetik, pasi është e pasur me burime të ndryshme energjetike.
Gjatë fjalës së saj, Drejtoresha e Përgjithshme e METE, znj. Matilda Merxhani, shprehu besimin se forumi do të jetë një instrument me rëndësi për promovimin ekonomik dhe financiar të Shqipërisë, si pjesë e rajonit të Mesdheut.
Duke bërë një panoramë të përgjithshme të zhvillimit të sektorit energjetik në Shqipëri, sektor i cili ka qenë dhe është prioritet i qeverisë shqiptaret, drejtoresha e Përgjithshme e METE e vuri theksin në mundësitë e mëdha për investime që paraqet vendi ynë, ndaj dhe ftoi investitorët italianë, por edhe ata të Gjirit, të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri.
Drejtoresha e Përgjithshme e Projekteve dhe Bashkëpunimit në METE tha se "megjithëse 100 për qind e energjisë elektrike në Shqipëri prodhohet nga hidrocentralet, potencialet ujore janë shfrytëzuar në masën 35 për qind. Kjo do të thotë që, kapaciteti i prodhimit aktualisht është pak më shumë se 1500 MW, dhe mundësitë për të ndërtuar centrale hidroenergjetike në gjendje për të prodhuar edhe 3000 MW të tjerë, janë të menjëhershme".
Ndërkohë, referuar parqeve eolike, Ajo tha se aktualisht energjia e prodhuar pre tyre është 0 për qind, por potencialisht nëpërmjet tyre mund të prodhohen rreth 3000 MW.
Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e METE-s foli edhe për rëndësinë që ka marrë në Shqipëri ndërtimi i hidrocentraleve, pas miratimit të ligjit "Për konçesionet". Gjithashtu, ajo theksoi faktin se qeveria shqiptare po krijon një legjislacion të posaçëm për mbrojtjen e investimeve të huaja në vendin tonë.
"Një stimul për ndërtimin e HEC-eve, me fuqi te instaluar deri ne 15 MW, është garancia, që i jep Qeveria shqiptare këtyre prodhuesve për ta shitur prodhimin e tyre të energjisë elektrike tek KESH pa zbatuar ligjin e prokurimeve publike, me një çmim 10 për qind më të lartë se çmimi mesatar i një viti më parë", tha znj. Merxhani .
Gjithashtu, vuri në dukje ajo, në përputhje me legjislacionin ekzistues, HEC-et e vegjël kanë akses prioritar për lidhjen e tyre me rrjetin energjetik. Znj. Merxhani bëri të ditur se si rezultat i kësaj politike deri tani janë nënshkruar rreth 91 marrëveshje koncesionare për ndërtimin e rreth 264 hidrocentraleve, me një fuqi të instaluar prej rreth 1100 MW.
Si projektet më të rëndësishme ajo përmendi ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Devoll, me një fuqi të instaluar prej 319 MW, nga kompania austriake EVN, ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit, me fuqi të instaluar rreth 100 MW, nga kompania italiane Begeti Group, ndërtimi i hidrocentralit të Ashtës, me fuqi të instaluar prej rreth 48 MW, nga Verbunden Austri, si dhe dhjetra hidrocentrale të tjera të fuqive të ndryshme.
Ndërsa theksoi se Shqiperia ka potenciale të energjive të rinovueshme, si të erës, diellit dhe biomasës drejtoresha e Përgjithshme e METE-s tha se qeveria shqiptare po vijon reformën e saj në sektorin energjetik dhe ftoi investitorët italianë të vijnë e të zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik në vendin tonë.
Znj. Merxhani tha se, një ndër objektivat e qeverisë shqiptare është ta kthejë Shqipërinë në një superfuqi energjetike rajonale dhe eksportuese të energjisë.
Të pranishëm në ditën e parë të Forumit ishin përfaqësues të qeverive të vendeve të Mesdheut, kryeministri italian Silvo Berluskoni, si dhe përfaqësues të sektorit ekonomik dhe privat të vendeve të Mesdheut, si dhe përfaqësues të organizmave ndërkombëtare ekonomike dhe financiare, si BERZH, Banka Botërore, ENEL, Moncada Group, etj.
/s.s./