English

Francë - Sarkozy Konfirmon Riorganizimin E Qeverisë Në Vjeshtë

PARIS, 12 korrik /ATSH-ANSA/ - Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, gjatë një fjalimi të drejtpërdrejtë në televizionin "France 2", konfirmoi planin për një riorganizim të qeverisë në tetorin e ardhshëm, pas votimit të rëndësishëm në Parlament për reformën e pensioneve, hapi më delikat i gjysmës së dytë të mandatit të tij. "Do të ketë një etapë të re në jetën politikë pas reformës së pensioneve", deklaroi Sarkozy gjatë një interviste për gazetarin e "France 2", David Pujadas. Më 30 qershor, duke folur me deputetët e UMP-së, partia e djathtë në pushtet, Sarkozy kishte folur për një riorganizim të qeverisë, edhe për të balancuar pasojat e sjelljeve të disa ministrave. Kjo jo vetëm për rastin e çështjes Bettencourt, por edhe për skandale të lidhura me stilin e jetesës së disa eksponentëve qeveritarë: nga 12 mijë eurot për cigaret kubane që një nënsekretar i kishte paguar me paratë e shtetit, deri te apartamentet e shërbimit që përdoreshin nga të afërmit e ministrave. /e.v/
KOMENTE