English

"Gerdeci", Dëshmitari: Nuk Kishim Informacion Për Ndonjë Akt Sabotazhi

-Dëshmon ish- shefi i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Hysni Gjergji- TIRANË, 12 Korrik/ATSH/ -Shërbimi Informativ i Ushtrisë nuk ka patur ndonjë informacion për ndonjë akt të mundshëm sabotazhi ose kriminal lidhur me çështjen "Gërdeci", ka deklaruar sot, ish -shefi i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, (SHIU), Hysni Gjergji në Gjykatën e Tiranës në seancën e radhës për çështjen "Gërdeci". Duke dëshmuar për çështjen e sigurisë së Ushtrisë, Gjergji tha se, në kohën që drejtonte Shërbimin Informativ të Ushtrisë, nuk kishte patur informacione rreth ndonjë akti sabotazhi apo të dyshimte në ish- fabrikën e demontimit të municioneve ushtarake në Gërdec. "Nuk kemi konstatuar ndonjë aktivitet të dyshimtë kriminal për çështjet e sigurisë, pohoi dëshmitari. Çështja e sigurisë në ish- fabrikën e "Gërdecit" është bërë shpesh herë objekt diskutimesh pasi palët në proces kanë shprehur qëndrime të kundërta. Në njërën anë, prokuroria beson se, shpërthimi në ish- fabrikën e Gerdecit, erdhi si pasojë e gabimit njerëzor. Ndërsa, në anën tjetër, disa nga të pandehurit, aludojnë për ndonjë akt të qëllimshëm kriminal në këtë fabrikë. Si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm të ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur. Çështja "Gërdeci" konsiderohet më e madhja në historinë gjyqësore në këto vitet e fundit pasi numëron 29 të pandehur, në pjesën me të madhe ish drejtues të ministrisë së mbrojtjes dhe Ushtrisë si dhe mbi 300 dëshmitarë, të cilët aktualisht janë duke dhënë dëshmitë e tyre para Gjykatës./a.m//n.m/
KOMENTE