English

Greqi - "Apojevmatini'': Kriza Qeveritare Paralajmëron Zgjedhje Të Reja

ATHINË, 12 korrik /ATSH-MIA/ - Projektligji për reformën në sistemin e pensioneve ndoshta është miratuar nën kërcënimin e zgjedhjeve të parakohshme, por një ditë pas miratimit të tij u bë e qartë se ekziston një krizë në qeverinë e kryeministrit grek, Jorgos Papandreu dhe se gjendja në partinë e tij është e tensionuar, vlerëson gazeta athinjote "Apojevmatini" në artikullin me titull "Kriza në qeveri, paralajmërim për rënien e PASOK-ut". "Në të njejtën kohë tregu po fundoset, çmimet po rriten për shkak të rritjes së TVSH-së, ndërkohë që Ministria e Financave planifikon tatime të reja", thekson gazeta duke vlerësuar se nuk përjashtohet mundësia që Greqia të ballafaqohet me zgjedhje të parakohshme parlamentare gjatë nëntorit, përpara dështimit të sistemit politik. Gazeta kujton se sondazhet e opinionit publik tregojnë se shumica e grekëve konsiderojnë se kryeministri Papandreu duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme, që të zhvilloheshin njëkohësisht me ato lokale. "Këtë në fakt thonë edhe shumica e ministrave dhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt", thekson "Apojevmatini"./ a.jor.
KOMENTE