English

Imami: Privatizimi I Pronave Të Ushtrisë, Proces Transparent Dhe Ligjor

TIRANË, 12 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Privatizimi i pronave të Ministrisë së Mbrojtjes, që nuk janë në përdorim nga Forcat e Armatosura, do të zhvillohet me procedura transparente dhe në përputhje me ligjin. "Pronat e Ministrisë së Mbrojtjes për privatizim po i afrohen publikut dhe tregut në mënyrë transparente dhe nuk i afrohen këtij, apo atij biznesmeni në mënyrë të veçantë", deklaroi për mediat ministri i Mbrojtjes, Arben Imami në përgjigje të akuzave të opozitës, e cila është deklaruar se "pronat e ministrisë së Mbrojtjes po shkojnë në drejtim të paditur". "Është një fakt i njohur që Partia Socialiste është në drejtim të paditur dhe si deputet i Tiranës do duhej të dinim se në ç'drejtim është plani urbanistik i Tiranës, ku po shkon trafiku i saj dhe ku ndodhet KRT të Tiranës. Nuk mund të thuhet se pronat e ushtrisë po shkojnë në drejtim të paditur, kur në sistemin tonë pronat nuk mund të shkojnë në asnjë destinacion tjetër veç tregut dhe kjo është gjëja më e mirë që bëjmë", u shpreh ministri Imami. Kreu i dikasterit të Mbrojtjes sqaroi se identifikimi i pronave që nuk janë në përdorim efektiv nga FA dhe kalimi i tyre për privatizim është pjesë e një plani të integruar veprimi, që parashikon çlirimin e këtyre objekteve nga të gjitha materialet e tepërta si armë, municione etj. "Në bazë të ligjit "Për pronat e paluajtshme" Ministria e Mbrojtjes ka identifikuar dhe i ka dërguar Ministrisë së Ekonomisë një listë me 517 prona të lira, si dhe një listë tjetër me 155 prona të tjera që do i përcillen këtij dikasteri brenda këtyre ditëve, ndërsa janë dhe rreth 70 prona të tjera që po verifikohen në terren dhe po zbrazen nga materialet ushtarake", deklaroi Imami. Ai spjegoi se çmimi i pronave për privatizim vlerësohet nga një komision i posaçëm, veprimtarinë e të cilit mund ta verifikojnë parlamentarë, Kontrolli i Lartë i Shtetit etj./n.m/
KOMENTE