English

Ja pse shkurtohet buxheti i shtetit

Tiranë, 12 korrik, NOA, Rajmonda Lajthia - Pas krizës globale, kërcënimi kryesor i çdo ekonomie është gjetja e parave për të financuar defiçitin buxhetor.

Në kushtet kur ritmet e rritjes ekonomike nuk garantojnë të ardhura të kënaqshme dhe kreditë në tregun ndërkombëtar, po bëhen gjithnjë e më të vështira për tu gjetur, qeveritë janë përballë dy zgjedhjeve, ose të rrisin taksat ose të ulin shpenzimet.

Për qeverinë shqiptare do të kishte një kosto të madhe jo vetëm politike, në rast se ajo do t’i kthehej rritjes së taksave.

Ndaj ajo detyrohet të shkurtojë shpenzimet, pasi pritshmëritë ekonomike paraqesin një tabllo me rrisqe për situatën makroekonomike të vendit.

Së pari kostot e borxhit publik janë rritur ndjeshëm, ndërkohë që aktiviteti ekonomik nuk garanton një ritëm të mirë ekonomik.

Në buxhetin e këtij viti ministria e Financave parashikon se rritja ekonomike do të jetë 4.1%, nga 5.5%, që kishte planifikuar në fillim të vitit.

Duke prezantuar buxhetin e ndryshuar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ministri i Financave Ridvan Bode u shpreh se “ky shkurtim vjen për të garantuar një ambjent më të mirë ekonomik”.

Sipas tij qeveria do t’i lërë hapësirë biznesit vendas që të kreditohet në tregun vendas dhe vetë do të dalë në tregun e huaj për të marrë borxh.

Duke raportuar në komision ai u ndal edhe tek investimet publike.

“Nuk do të ketë tenderime të reja për projekte të mëdha infrastrukture gjatë këtij viti, por do të financohen ato që janë në proces. Madje qeveria ka kthyer sytë tek financimet e huaja me qëllim vijimin e investimeve të mëdha”- u shpreh Bode.

Duke e konsideruar këtë buxhet një dështim të qeverisë, opozita kërkon seancë dëgjimore me çdo institucion fiskal për të krijuar një panoramë më të saktë të gjendjes reale ekonomike.

Sipas nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë Mimi Kodheli, qeveria nga njëra anë shprehet me optimizëm për performancën e ekonomisë dhe nga ana tjetër po shkurton shpenzimet.

Sipas saj politika për të shkurtuar edhe fondet e investimeve do të ketë efekt negativ në ekonomi e për rrjedhojë edhe tek biznesi.

Por, debatet për buxhetin janë zhvendosur edhe në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku deputet socialistë kanë kërkuar që përpara se të miratohen ndryshimet e buxhetit është e nevojshme që të dëgjohen edhe institucionet e pavaruara, siç janë Presidenca, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë e shumë të tjera, fondet e të cilave ulen ndjeshëm.

Nga shifra prej 39 miliard lekë që ulet buxheti, gati 50% e tyre janë investime publike, ndërsa pjesa tjetër shpenzime operative.

Nga kjo ulje janë prekur pushteti vendor, institucionet e pavarura si dhe institucionet qendrore.

r.l/NOA
KOMENTE