Kosovë - Fsk Fillon Aksionin E Parë Të Çminimit
PRISHTINË, 12 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) filloi sot aksionin e parë të pastrimit të zonave të infektuara nga minat, në një fshat të zonës kufitare me Shqipërinë, në Has të Prizrenit. Këto janë mina të pashpërthyera të llojeve të ndryshme, që kanë ngelur që nga koha e luftës në Kosovë në vitin 1999.
"Me shpërthimin simbolik u bë fillimi i punës së kompanisë së çminimit, në hapësirat përreth shtëpive të fshatit Milaj", njoftoi sot Ministria e FSK-së.
Ky aktivitet është i rëndësishëm edhe për faktin se kompania e certifikuar dhe e specializuar e FSK-së për çminim, për herë të parë merr kompetencat për të vepruar në terren për të bërë pastrimin e zonave të minuara.
Ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, me këtë rast, vlerësoi bashkëpunimin e mirë me KFOR-in dhe NATO-n, si për trajnimin e njësisë së çminimit, po ashtu edhe për ndihmën e dhënë në pajisje dhe teknikë përkatëse.
Aktiviteti i çminimit do të vazhdojë edhe në hapësirat e tjera të Kosovës, të evidentuara si fusha të rrezikshme të imfektuara me mina.
Fshati Milaj është përzgjedhur si prioritet për fillimin e aktivitetit të çminimit, sepse banorët e këtij fshati edhe njëmbëdhjetë vjet pas luftës nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut nga minat e vendosura nga forcat serbe.
Bëhet e ditur se aktiviteti i çminimit po sot ka filluar edhe në tri zona të tjera të Kosovës, të evidentuara si fusha të rrezikshme të infektuara me mina, në hapësirat e kazermës së Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) në Ferizaj, në fshatin Halilaq, afër Aeroportit në rrethinat e Prishtinës dhe në fshatin Belincë të Shtimes./s.s./