English

Kosovë - Vlerësohet Bashkëpunimi Mes Qeverisë Dhe Eulex-It Për Sundimin E Ligjit

SHTINË, 12 Korrik /ATSH-B.Jashari/.-Bordi i Përbashkët për Sundimin e Ligjit vlerësoi në takimin e sotëm bashkëpunimin mes qeverisë dhe EULEX-it dhe kërkoi që ky bashkëpunim të thellohet në funksion të fuqizimit të sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë. Zyra e shtypit e Qeverisë kosovare bëri të ditur se zv/kryeministri Hajredin Kuçi theksoi se "Qeveria e Kosovës ka arritur të miratojë pakon e ligjeve të gjyqësorit dhe një sërë ligjesh të tjera prioritare. Gjatë kësaj jave kemi arritur të aprovojmë Ligjin e ri të Prokurimit Publik, të hartuar në përputhje të plotë me direktivat e BE-së", tha Kuçi. Ai vuri në dukje se "kjo dinamikë e punës e institucioneve të Kosovës ka marrë nota pozitive nga vizitat që Kryeministri Thaçi ka pasur në Bruksel dhe nga Takimi i parë plenar i Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asocciimit". Lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit, zv/kryeministri Kuçi tha se këto sfida në veri kanë dëshmuar se ekziston nevoja imediate e rritjes së përkushtimit dhe intensifikimit të punës së EULEX-it, organizmave të tjera të sigurisë dhe qeverisë së vendit për të përshpejtuar funksionalizimin e gjykatave në veriun e Kosovës, për të përmirësuar institucionet e sigurisë, për të forcuar kontrollin kufitar dhe në përgjithësi për vendosjen e rendit dhe qetësisë publike edhe në këtë pjesë të territorit të Kosovës. Nga ana e tij, shefi i EULEX-it , Yves de Kermabon, duke vlerësuar punën që ka bërë Bordi i Përbashkët për sundimin e ligjit në Kosovë, ka dënuar incidentet e fundit në veri të vendit. "EULEX-i ka vepruar në përputhshmëri me mandatin e tij si një përgjegjës i dytë i sigurisë dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të veprojmë kështu", u shpreh ai, duke shtuar se hetimet janë duke i bërë edhe Policia e Kosovës dhe duhen pritur konkludimet. "EULEX do të ofrojë asistencën e nevojshme për hetime, ndërkohë që duhet t'i shmangemi rritjes së tensionit dhe të kemi parasysh se qëllimi ynë i përbashkët është fuqizimi i sundimit të ligjit në tërë Kosovën në përgjithësi e në veri të vendit në veçanti", tha z. Kermabon. /s.s./
KOMENTE