English

Kufiri, Rritet Fluksi I Kalimit Në Pikat Kufitare, Shtohen Sportelet

TIRANË, 12 Korrik /ATSH-M.Shkurta/. - Deri me 11 korrik kanë hyrë në Shqipëri përmes Pikave të Kalimit Kufitar të paktën 202.459 shtetas, nga të cilët 113.255 shqiptarë dhe 89.204 shtetas të huaj, ndërsa janë përpunuar 61.783 automjete. Ardhja e emigrantëve shqiptarë, si dhe fluksi i pritshëm në pikat e kalimit kufitar, tokësor e detar, i të huajve që kanë preferuar t'i kalojnë pushimet verore në Shqipëri, kanë detyruar strukturat vendore të Policisë Kufitare si dhe Departamentin e Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, të marrin masat e duhura për shmangien e rradhëve të gjata në Pikat e Kalimit Kufitar dhe lehtësimin e procedurave të kalimit. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur të hënën për ATSH-në, se gjatë qershorit, kanë hyrë në Shqipëri 397.981 shtetas, prej të cilëve 246.189 shtetas shqiptarë, 151.792 të huaj, ndërsa janë përpunuar në hyrje 126.912 automjete. Rëndësi gjatë kësaj periudhe i është kushtuar bashkëpunimit me agjencitë e udhëtimit dhe agjencitë turistike për listat e udhëtarëve që lëvizin me avionë, tragete apo mjete të tjera për transport pasagjerësh, me qëllim përshpejtimin e procedurave të përpunimit të shtetasve dhe të mjeteve nëpërmjet një kontrolli efikas të kufirit. "Janë porositur strukturat vendore të Policisë Kufitare dhe të Migracionit, që të bashkëpunojnë me strukturat homologe policore të vendeve fqinje, si: Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Greqisë etj., me qëllim menaxhimin sa më mirë të fluksit të lëvizjes", thuhej sot në njoftimin për shtyp të Policisë së Shtetit. Nga strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit në qendër po mbahen kontakte të vazhdueshme me strukturat vendore lidhur me problematikën që mund të evidentohet, me qëllim zgjidhjen e saj. Masa janë marrë dhe nga agjencitë detare të lundrimit, të cilat kanë planifikuar të shtojnë numrin e trageteve dhe të prekjeve në kalata për të përballuar kërkesat për lundrime në këtë sezon të nxehtë, jo vetëm në temperatura dhe fluks, por edhe në çmimet që ofrohen për pasagjerët. Ndërkaq, e gjithë vija bregdetare do të patrullohet nga shërbimet e policisë kufitare, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, për t'i ardhur në ndihmë pushuesve në plazhe dhe për të parandaluar trafiqet e paligjshme. Ndërkohë, pak ditë më parë, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në një takim të zhvilluar me prefektët e 12 qarqeve në vend, u shpreh për nevojën e ngritjes së shtabeve të punës pranë çdo prefekture, si dhe zbatimin e një plan- masash, shërbime të shtuara në të gjitha akset rrugore, pranë zonave turistike dhe bashkive më të mëdha./s.s./
KOMENTE