Kukes: Jane Vene Nen Kontroll Ndertimet Ne Hapesiren Urbane
KUKES, 12 korrik/ATSH-R.Hoxha/. - Rritja e sipërfaqes së gjelbëruar dhe kontrolli i ndërtimeve në hapësirën urbane, aktualisht janë dy nga prioritetet e punës së bashkisë se Kukesit në këtë periudhë tranzitore të zbatimit të planit urbanistik të zhvillimit afatgjatë të qytetit.
Kryetari i Bashkisë, Hasan Halilaj, tha per ATSH-ne se, "edhe gjatë këtij viti kanë vazhduar ndërtimet me ritme më të mëdha dhe të miratuara nga KRRTSH-ja e Bashkisë, por kryesorja është se janë eleminuar rastet e tensioneve sociale".
Eleminimi i ndërtimeve të paligjshme në këtë bashki pas miratimit të planit urbaniztik afatgjatë të hartuar në bashkëpunim me specialistë të CO Plan, ka ndikuar në rritjen e ndërtimeve private, por dhe eleminimin e konflikteve sociale për pronësinë mbi tokën, ku ngrihet qyteti.
"Ende është problematike mungesa e infrastrukturës në zonën e quajtur "shtrazë" ku janë përqëndruar ndërtimet e reja, problem që do të zgjidhet vitin e ardhshëm, pasi bashkia me fondet që ka nuk mund t'i zgjidhë të gjitha problemet", thotë Halilaj.
Aktualisht, qyteti i Kukësit ka rreth 26 mijë banorë, nga rreth 19 mijë në fillim të viteve '90. Zgjerimi i tij për gjatë 20 viteve të ardhshme sipas planit rregullues përfshin shtrirjen përreth aeroportit si dhe pranë brigjeve të liqenit të Fierzës.
Zbatimi i planit urbanistik te qytetit, i hartuar nga një grup specialistësh të pushtetit vendor dhe ekspertëve të kompanisë CO - Plan, ka zgjeruar edhe sipërfaqen e qytetit që tashmë përfshin 1060 ha, nga rreth 850 ha deri tani për qytetin e Kukësit.
"Në këtë fazë të parë të zbatimit të projektit, pozitive është së janë vënë nën kontroll ndërtimet e paligjshme dhe në dy vitet e fundit nuk kemi asnje ndertim banesash pa leje", thote Halilaj.
Ndërtimet e kryera gjatë dy dhjetevjecarëve te fundit në qytetin e Kukësit kanë qenë thuajse të gjitha pa miratimin e specialistëve, gjë që ka sjellë edhe miratimin e 850 ndërtimeve, kryesisht banesa nga zyra rajonale e ALUIZ-nit. /a.ke/