Kukes: Kontroll I Panderprere Per Levizjen E Mjeteve Ne Tunelin E Kalimashit
KUKES, 12 korrik/ATSH-R.Hoxha/- Fluksi i madh i lëvizjes së mjeteve në tunelin e Kalimashit ka rritur masat e kontrollit 24- orësh, çka po ndikon në kalimin normal të mjeteve në të dy anët e tij.
Përgjegjësi i sektorit zjarrfikës pranë tunelit, Fatmir Cengu, ndërsa tregon për ATSH-në fluksin në rritje të lëvizjes së mjeteve, që gjatë 24 orëve të fundit arriti në 9790 mjete të tonazheve të ndryshme, shton se për kontrollin e situatës gjatë 24 orëve është në shërbim personeli me 12 persona të specializuar për të përballuar cdo problem në mjediset e brendshme të tunelit.
Në shërbim të situatës janë edhe 6 mjete zjarrfikëse, prej të cilave 2 kamionë me kapacitet 7000 litra ujë secili dhe 4 fuoristrada zjarrfikëse me kapacitet 300 litra ujë secila që mund të ndërhyjnë brenda 2 minutash në cdo rast emergjent.
"Për parandalimin e incidenteve, i gjithë tuneli monitorohet gjatë 24 orëve përmes kamerave vëzhguese ndërsa brenda tij, në cdo 235 metra ka hydrant për shuarjen e zjarrit dhe 35 dhoma të emergjencës të pajisura me fikësa dore, lidhje telefonike e e mjete të ndihmës së shpejtë", thotë Cengu.
Me gjithë fluksin në rritje të lëvizjes së mjeteve, autokolonat në cdo rast shoqërohen nga mjetet zjarrfikës, ndërsa funksionon edhe korsia e emergjencës.
Që nga data 21 maj kur u hap tuneli, deri tani brenda tij janë regjistruar 2 raste aksidente përplasje makinash si dhe 4 raste defektesh të mjeteve në udhëtim, por në asnjë rast nuk është penguar lëvizja e mjeteve të tjera, pasi përdoret korsia e emergjencës.
Në 3 raste kanë ndërhyrë mjetet zjarrfikës për shuarjen e zjarrit të rënë në mjete për shkaqe të ndryshme duke mos shkaktuar dëme të ndjeshme për pasagjerët dhe pronarët e mjeteve.
"Përvoja e fituar gjatë kësaj periudhë na bën optimistë për të përballuar cdo situatë edhe në këtë periudhë, kur nga dita në ditë fluksi i lëvizjes së mjeteve në të dy anët e tunelit po rritet", përfundon Cengu./n.m/