English

Kuvend/ Komisioni I Ligjeve Rrëzon Kandidaturën E Vexhi Muçmataj, Për Anëtar I Gjykatës Së Lartë

TIRANË, 12 Korrik /ATSH-M.Shkurta/ - Komisioni Parlamentar i Çështjeve Ligjore i propozoi sot Kuvendit të Shqipërisë mosmiratimin e kandidaturës së prokurorit Vexhi Muçmataj në detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë. Pas seancave dëgjimore me tre kandidatët për në Gjykatën e Lartë, Medi Bici, Sokol Çomo dhe Vexhi Muçmataj, Komisioni i Ligjeve shqyrtoi sot dekretin e datës 25 maj 2010 të Presidentit të Republikës, Bamir Topi për emërimin e Vexhi Muçmataj në detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë. Në seanën e sotme për këtë çështje, ku nuk ishin të pranishëm deputetët e Partisë Socialiste, anëtarët e tjerë të komisionit u njohën me relacionin e përgatitur nga deputeti i PD-së, Viktor Guni lidhur me kandidaturën e Vexhi Muçmataj. Sipas relatorit Gumi, kandidati për Gjykatën e Lartë, Muçmataj nuk ka demonstruar transparencën e kërkuar dhe të merituar lidhur me arsimimin e lartë dhe aktivitetin e tij profesional, ndonëse i janë kërkuar në mënyrë të përsëritur. Gumi tha se në CV-në e kandidatit Muçmataj, ardhur nga dekreti i Presidentit të Republikës rezulton e fshirë një anë e rëndësishme e edukimit të tij të lartë, përfundimii i shkollës së Lartë të Ministrisë së Brendëshme. "Muçmataj nuk ka manifestuar para këtij komisioni kontributin konkret profesional në fushën e drejtësisë që të justifikojë besimin e Kuvendit të Shqipërisë", vërejti deputeti Gumi. Sipas tij, kandidati për anëtar i Gjykatës së Lartë, Vexhi Muçmataj ka shërbyer në strukturat respektive në kohën e diktaturës komuniste dhe ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë në hetimin e veprave penale me karakter politik. Sipas Gumit, në CV-në e prokurorit Muçmataj, në dekretin e Presidentit thuhet se ka punuar si hetues në Librazhd dhe Vlorë nga data 15 korrik 1987-16 qershor 1990, ndërsa sipas institucionit të Prokurores së Përgjithëshme rezulton se ai ka punuar si hetues në Librazhd dhe Vlorë nga viti 1976. Vlerësimit për figurën e Muçmataj për integritetin moral dhe profesional të tij, j'u bashkangjitën dhe anëtarët e tjerë të Komisionit të Çështjeve Ligjore. Sipas tyre, kandidatura e Muçmatës, nuk është e plotë për dhënien e pëlqimit nga Kuvendi i Shqipërisë. Në mbledhjen e datës 7 Korrik, Komisioni i Çështjeve Ligjore i propozoi Kuvendit të Shqipërisë për miratim kandidaturën e Medi Bicit, në detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë. Ky Komision propozoi gjithashtu që të mos e votonte kandidaturën e Sokol Çomos për të njëjtin post, sikurse dhe ndodhi në seancën plenare të Kuvendit në 8 korrik. Tre kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të propozuar në dekretet e emërimit nga Presidenti i Republikës, nga data 21 qershor 2010, iu nënshtruan disa seancave dëgjimore në komisionin parlamentar të Ligjeve. Sipas kalendarit të punimeve komisioni përcaktoi një seancë të veçantë për secilin kandidat, duke filluar në 21 qershor me kandidatin Medi Bici, më 22 qershor me Sokol Çomon dhe 23 qershor me kandidatin Vexhi Muçmataj. Diskutimi i dekreteve u bë pas plotësimit të dosjes së secilit kandidat me informacione nga disa institucione si, Prokuroria, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Dhoma e Avokatisë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në përmbushje të detyrimit të tij kushtetues, më 25 janar 2010 nisi procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj për 6 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe 4 vendet në Gjykatën e Lartë. Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet. Numri i atyre që konkurruan për këto poste ishte rreth 50-60 individë. Presidenti i Republikës për mbarëvatjen e procesit përzgjedhës të kandidaturave ngriti një grup këshillimor, për të mos u përsëritur më rasti i vitit 2008 kur pesë kandidaturat e propozuara prej tij për vendet vakante në Gjykatën e Lartë u rrëzuan në parlament me shumicë votash, më 16 qershor 2008. Maxhoranca në atë kohë u deklarua se Kreu i shtetit nuk ishte konsultuar më parë lidhur me kandidaturat që do t'i përcillte Kuvendit. Më 13 maj 2010, pas konsultimeve me grupin këshillimor, Kreu i shtetit i përcolli Kuvendit për shqyrtim tre kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese; përkatësisht Altina Xhoxhaj, Bashkim Dedja dhe Vangjel Kosta. Ndërsa dy të parët morën pëlqimin e Kuvendit në seancën plenare të 20 majit, i fundit nuk u miratua nga maxhoranca. Përfaqësues të saj e komentuan rrëzimin e Kostës në parlament me argumentin se "ishte kandidaturë politike që i kishte shërbyer regjimit të kaluar"./n.m/
KOMENTE