English

Maratona E Këngës Popullore Në Qytetin E Kukësit

KUKËS, 12 Korrik/ATSH-R.Hoxha/. -Filloi sot në mbrëmje, në sheshin kryesor të qytetit të Kukësit, në verilindje të vendit, maratona e këngës popullore qytetare, një veprimtari e përvitshme që synon evidentimin e vlerave më të mira të këngës popullore. Në këtë koncert të madh, që po ndiqet nga mijëra banorë të qytetit e fshatrave përreth tij, janë ftuar këngëtarë të njohur të këngës popullore si, Irini Qirjako, Ermira Babaliu, Maja, Ylli Braka, etj. Para fillimit të koncertit një përfaqësi e organizatorëve u prit edhe nga kryetari i bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj, i cili i falenderoi organizatorët për rikthimin në qytetin e Kukësit, duke iu referuar faktit se kjo maratonë për herë të parë u organizua në këtë qytet vitin e kaluar. Regjisori i kësaj maratone, Bledar Laço, tha se "maratona synon evidentimin e vlerave më të mira të këngës popullore qytetare nga të gjitha trevat e vendit. Këngët janë kryesisht krijime të reja, apo me frymë të re që i pëlqen publiku, gjë që e kemi vënë re edhe në rrethet e tjera nga kemi shkuar". Ai falenderoi kuksianët për mikpritjen, duke theksuar se "tashmë, me ndërtimin e autostradës, Kukësi nuk do të mbetet jashtë veprimtarive të tilla". Numri i madh i këngëtarëve bën që maratona e këngës popullore qytetare të vazhdojë deri pas mesnate./s.s./
KOMENTE