English

Michelsen:Presidenca Belge Nxit Perspektivën Europiane Të Ballkanit Perëndimor

- Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, takon Ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës në Tiranë, Michelsen - TIRANË, 12 Korrik/ATSH/.- Ambasadori i Mbretërisë së Belgjikës në Tiranë, rezident në Sofje, Marc Michelsen, gjatë një takimi sot në Tiranë me zv/kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta, shprehu angazhimin e Presidencës belge në nxitjen e perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Drejtoria e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se Ambasadori Michelsen, që ndodhet sot në Tiranë pas marrjes nga Belgjika të Presidencës së BE-së, diskutoi me ministrin Meta rreth prioriteteve të kryesimit belg të Bashkimit Evropian gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2010 dhe mbi marrëdhëniet dypalëshe. Në këtë kontekst, Ambasadori Michelsen e informoi ministrin e Jashtëm shqiptar se Presidenca belge, e cila funksionon mbi bazat e vendosura tashmë nga Traktati i Lisbonës, mbështet zgjerimin e BE-së në përputhje me progresin respektiv të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mbetet e angazhuar në nxitjen e perspektivës së tyre evropiane. Zv/kryeministri Meta nënvizoi angazhimin e plotë të Qeverisë shqiptare në përmbushjen e prioriteteve integruese të vendit, duke theksuar liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë dhe arritjen e statusit të kandidatit për në BE. Në këtë kuadër, ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Presidencën belge dhe shprehu vullnetin e plotë për përmbushjen e standardeve të duhura në procesin e reformave integruese. Shefi i diplomacisë shqiptare vlerësoi ndërkohë nivelin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë e Belgjikës dhe nënvizoi domosdoshmërinë e forcimit të tyre, duke vënë në dukje edhe prezencën e konsiderueshme të komunitetit shqiptar në Belgjikë. Bashkëbiseduesit këmbyen mendime edhe mbi situatën në rajonin e Ballkanit, duke vlerësuar si të rëndësishme lënien pas së të shkuarës së tij konfliktuale, si dhe nevojën e ndërtimit të një të ardhme ku prevalon paqja, stabiliteti, siguria dhe bashkëpunimi. Në këtë takim ishte i pranishëm dhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Helmuth Lohan./a.s/s.s./
KOMENTE