English

Ministria e Mbrojtjes shpall listën me pronat që nxirren në shitje

Tiranë, 12 Korrik 2010 NOA/ Rajmonda Lajthia - Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, publikoi sot pronat ushtarake që kalojnë në proces privatizimi. Bëhet fjalë për një listë prej 517 pronash të paluajtshme të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat nuk janë në përdorim.

Kjo listë pronash i është dërguar kohët e fundit Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për të vazhduar me procedurat e privatizimit nga ana e qytetarëve të interesuar dhe ish-pronarëve.

Ministri i Mbrojtjes, po ashtu bëri të ditur se është gati një listë prej 135 pronash të tjera, ndërsa 70 të tjera janë në proces verifikimi për të hyrë në treg. Imami pohoi se identifikimi i pronave që nuk janë në përdorim efektiv nga Forcat e Armatosura dhe kalimi i tyre për privatizim është pjesë e një plani të integruar veprimi që ne kemi hartuar për çlirimin e Forcave të Armatosura, jo vetëm nga pronat e tepërta, por nga të gjitha materialet e tepërta, në mënyrë që ato të mos peshojnë më në jetën e përditshme të Forcës Tokësore, Detare e Ajrore. Kjo do të krijojë mundësinë e përqendrimit të plotë të tyre në stërvitje dhe operacione, çka është dhe misioni i tyre.

“Në këtë kuadër, në zbatim të ligjit 8743 datë 22.02.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr 1638, datë 17.02. 2008, “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes,” Ministria e Mbrojtjes ka identifikuar dhe i ka dërguar Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, deri tani 517 prona të lira, një listë e tretë me 155 prona të tjera do t’i dërgohen METE-s brenda këtyre ditëve, ndërsa mbeten edhe 70 prona të tjera të cilat janë duke u verifikuar në terren dhe duke u zbrazur nga materialet ushtarake”, - kumtoi ministri.

Ai sqaroi se pronat e dërguara pranë METE-s për privatizim nuk bëjnë pjesë në Planin e Përhapjes së Forcave të Armatosura të miratuar nga Presidenti i Republikës.

Në këtë kuadër, z.Imami siguroi se “ gjithë ky proces është transparent dhe publiku ka akses të plotë.

r.n/NOA

KOMENTE