Pjesa E Dyte -Shqipëria Progres Në Arritjen E Objketivave Të Mijëvjeçarit
IT
Intervistë ekskluzive për ATSH-ne, e përfaqësues së përhershme të PNUD-it në Shqipëri, Gülden Türköz Cosslett
TIRANË, 12 Korrik/ATSH-Erla Gjikolli/-Shqipëria, pas miratimit të Deklaratës së Mijëvjeçarit një dekadë më parë, po dëshmon progres drejt arritjes së Objektivave të Mijëvjeçarit në të gjitha objektivat dhe treguesit saj, sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Në intervistën ekskluzive për ATSH-ne, përfaqësuesja e përhershme e PNUD-it në Shqipëri, Gülden Türköz Cosslett flet edhe për mbështetjen në programin e zhvillimit të turizmit.
-PNUD mbeshtetje per turizmin ne Shqiperi-
UNDP pas mbështetjes së dhënë për qeverinë shqiptare në përgatitjen e strategjisë së turizmit ekologjik dhe kulturor në vitin 2005, një program tjetër për turizmin ekologjik ndihmoi në krijimin e kapaciteteve në sektorin e turizmit, duke u mbështetur në vlerat e papërsëritshme kulturore dhe pasuritë natyrore të vendit.
Shembujt konkretë përfshijnë përmirësimin e përpjekjeve të Shqipërisë për promovimin e turizmit, siç është rikonceptimi i faqes së internetit të Turizmit Kombëtar, krijimi i kapaciteteve dhe shkëmbimi i përvojës me vende me sfida të ngjashme në zhvillimin e sektorit të turizmit, dhe zhvillimin e turizmit lokal në qytete të njohura si Berati dhe Gjirokastra.
Cosslett tregoi se "kemi punuar mbi statistikat për turizmin. Bashkë me homologët tanë vendas kemi zhvilluar anketime mbi turizmin sezonal, që i kanë ardhur në ndihmë qeverisë për marrjen e vendimeve më të efektshme në fushën e turizmit, kulturës dhe trashëgimisë".
Sikurse tregojnë të dhënat, tha Cosslett "ndërsa numri i turistëve rritet nga viti në vit, produktet turistike të vendit duhet gjithashtu të përmirësohen në mënyrë të atillë që të harmonizohen me pasuritë e vendit dhe pasurojnë përvojën shqiptare të turizmit".
-Programi "Një OKB"
Shqipëria, sipas Cosslett, demonstroi angazhimin e saj te vendosur për ndërtimin e një OKB-je më të fuqishme, kur tre vjet më parë iu kërkua të përfshihej ne projektin pilot "Një OKB".
Përmes kësaj iniciative reformash, 14 agjenci të Kombeve të Bashkuara, me mandatet dhe ekspertizën e tyre, janë bashkuar për t'u bërë pjesë e një programi strategjik në mbështetje të objektivave të Shqipërisë për t'u integruar në Bashkimin Evropian dhe të prioriteteve të saj kombëtare të zhvillimit.
Me programin "Një OKB", agjencitë e OKB-së punojnë së bashku si një ekip i vetëm dhe efikas në nxitje të zhvillimit gjithëpërfshirës social, në mbështetje të qeverisë shqiptare për arritjen e objektivave kombëtare dhe ofrimin e analizave të hollësishme të politikave publike.
Ndërhyrjet e OKB-së përqendrohen në aspekte të qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme, pjesëmarrjes më të gjerë në politikat dhe vendimmarrjen publike, të drejta më të mëdha për të përfituar shërbime cilësore bazë, zhvillimin rajonal për të zvogëluar pabarazitë e zhvillimit, dhe zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor.
- Punësimi i të rinjve dhe migracioni
Përmes një programi të përbashkët për punësimin e të rinjve dhe migracionin, MOLSAEO, së bashku me një grup ndërministror pune, po zbatohet një plan kombëtar veprimi që synon shtimin e mundësive të punësimit për të rinjtë shqiptarë. Ky plan veprimi pritet të përfundojë në mesin e këtij viti (2010).
Përveç kësaj, Cosslett tha se në kuadër të këtij programi po krijohen struktura rajonale koordinimi në Kukës dhe Shkodër për të siguruar programe të reja të punësimit dhe të mekanizmave të financimit, duke u dhënë përparësi të rinjve në kushte të pafavorshme.
Programi ka bërë gjithashtu të mundur mbledhjen dhe analizimin e të dhënave për hartimin e politikave të bazuara në fakte dhe në ndërhyrje të planifikuara në sfera të punësimit dhe migrimit të rinisë. Ky program përfshiu mbështetjen për INSTAT-in në përgatitjen e një plani për Studimin mbi Fuqinë Punëtore në vitin 2008 me të dhëna të posaçme për rininë përmes krijimit të një elementi standard (modul) për Studimin mbi Fuqinë Punëtore në vitin 2010.
- Thithja e trurit (Brain Gain) -
Që prej vitit 2006, Kombet e Bashkuara dhe qeveria shqiptare kanë bashkëpunuar ngushtë për përfshirjen e diasporës në zhvillimin e vendit nëpërmjet zbatimit të programit për "thithjen e trurit".
OKB-ja ka ofruar konsulencën e saj për krijimin e një mjedisi mikpritës për personat që kthehen në vend. Më shumë se 90 individë kanë përfituar mbështetje përmes programit të "Thithjes së Trurit", duke ofruar paketa stimuluese që përfshijnë dhënien e granteve dhe mbështetjes financiare. Personat e rikthyer po punojnë në administratën publike dhe në institucione të arsimit të lartë.
Programi i Thithjes së Trurit i përzgjedh përfituesit e tij përmes një komiteti drejtues, ku marrin pjesë përfaqësues të UNDP-së dhe qeverisë shqiptare.
Cosslett vlerësoi se programi i Thithjes së Trurit ka rezultuar shumë i dobishëm në kryerjen e disa reformave kyçe dhe në ndryshimet që kanë pësuar si administrata publike, ashtu edhe institucionet e arsimit të lartë./u.sh/./a.gj/