English

PS, Berishës: Larg duart nga SHISH, do përgjigjesh për të gjitha zullumet

Tiranë, 12 korrik, NOA – Duke iu referuar Shërbimit informativ Shtetëror, deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Gjoni ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha se do të përgjigjet përpara ligjit në rast se vijon përpjekjet destruktive për të vënë nën kontroll të gjitha institucionet e pavarura të shtetit, me qëllim fshehjen e problemeve alarmante që ka sot siguria në vend, problemet me krimin e organizuar dhe trafiqet.

Duke iu referuar projektligjigjit të debatuar të SHISH, në komisionin e sigurisë, dhe nismën më të fundit për ta përfshirë atë në seancën e datës 22 korrik, deputeti Gjoni shprehu shqetësimin se megjithë reagimin e ekspertëve vendas e ndërkombëtarë, qeveria edhe pse e ka shprehur tërheqjen, nuk ka ndryshuar mendje nga vendimi i saj për ta cënuar pavarësinë e SHISH-it.

Sipas Ilir Gjonit, fakti i përfshirjes në seancën e datës 22 Korrik 2010, mbështetet edhe nga një fakt akoma më shqetësues, që deputetëve të opozitës në Komisionin e Sigurisë, me gjithë insistimet e tyre, ende nuk u është vënë në dispozicion drafti, që do të kalojë për miratim.

“Shqetësimi ynë serioz buron nga fakti se ky projektligj po tentohet të futet sërish në seancë për të realizuar objektivin e Sali Berishës për të vënë nën kontroll SHISH. Me këtë veprim Sali Berisha mesa duket hakmerret ndaj një raporti realist e të balancuar, që drejtori i SHISH-it bëri para Komisionit të Sigurisë, raport, i cili binte ndesh me situatën rozë, që mundohet të paraqesë qeveria sa i përket problemeve të sigurisë në vend kryesisht lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve e korrupsionit”, deklaroi deputeti i PS-së.

Sipas Gjonit, Berisha po shfrytëzon faktin se vëmëndja e ndërkombëtarëve është e shpërqendruar, për më tepër kur disa prej përfaqësuesve diplomatikë largohen nga vendi në përfundim të mandatit.

Duke iu referuar shkurtimeve të buxhetit, deputeti Partisë Socialiste, tha se kreu i mazhorancës po hakmerret ndaj këtij institucioni të sigurisë kombëtare duke e shkurtuar buxhetin e institucionit me plot 10 përqind në projektbuxhetin që pritet të miratohet.

“Nëse Sali Berisha mendon se përmes dhunës e tiranisë së shumicës mund të bëjë si të dojë, ne e paralajmërojmë të mbajë duart larg këtij institucioni dhe të gjithë institucioneve të tjera kushtetuese pasi pa më të voglin dyshim do të përgjigjet një ditë për zullumet e tij”, përfundoi deklaratën e tij, deputeti i PS-së, Ilir Gjoni.

mit/NOA

KOMENTE