Reportazh/ Fier: Darëzeza Dhe Semani, Turizem Mes Te Tashmes Dhe Perspektivës
FIER, 12 Korrik /ATSH -Rr.Isufaj / -"Vala" e investimeve të para në plazhet e Semanit dhe Darëzezës në qarkun e Fierit, paralajmëron ndryshim dhe krijimin e klimës së "ngrohtë" turistike, bashkë me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, pastrimi i bunkerëve dhe inerteve, i furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm.
Investimet e para private kanë filluar ta "vrasin "heshtjen e gjatë të kësaj mrekullie bregdetare duke i shndërruar plazhet në realitet turistik.
"Plazhet po kthehen në identitet se kanë nisur investimet dhe janë përmirësuar shërbimet, siguria dhe kushtet higjeno-sanitare," thotë kryetari i komunës Topojë, Sotir Zarka.
Banor i vjetër i zonës ku shtrihet një nga plazhet më me emër të qarkut të Fierit, Zarka kthehet në retrospektivë për të treguar lavdinë e dikurshme të plazhit dhe shprehet optimist për të ardhmen e "artë",që i pret ato.
"Plazhi i Semanit dikur ka qënë shumë i populluar për shkak të vlerave kurative që ka rëra. Para viteve 90 ka pasur gabina për pushuesit, dyqane, restorante, urgjencë, etj, por me hyrjen e detit në tokë çdo gjë u "gllabërua" nga ai," thotë Zarka.
"Këto 3-4 vitet e fundit plazhet e Semanit dhe Darëzezës po gjallërohen vazhdimisht. Janë ndërtuar lokale private si dhe kioska provizore dhe disa çadra me zhuka. janë banorët e zonës që ngrenë kasolle provizore dhe stacionohen familjarisht për 15-apo 30 ditë. Çdo vit komuna punon dhe kreh me traktor rërën e plazhit, mbledh mbeturinat, vendos kosha dhe banjo provizore, por gjithsesi turizmi kërkon shumë më tepër", shprehet ai.
Ndërsa banorët vlerësojnë investimet dhe ndryshimet e e fundit, por ndalen më shumë te problematika.
"Më të shumtët e plazhistëve ujin e marin nga shtëpia me bidona se uji me autobot nuk është zgjidhja më e mirë për këtë plazh, ku po të ketë investime dhe shërbime është një mrekulli", thotë Dëfrim H. teksa mbledh rrjetën e peshkimit.
Momentalisht plazhet e Semanit dhe Darëzesës frekuentohen nga mijëra pushues ditorë, që e bëjnë plazhin vajtje-ardhje me automjetet dhe autobusa privat.
Ndërsa drejtuesit e komunave Sotir Zarka e Fadil Selaci kërkojnë që në këtë zonë të ndërtohet rrjeti turistik me hotele dhe shtëpi pushimi.
"Qeveria, ministritë, biznesi duhet të hedhin sytë nga bregdeti që të investojnë e ngrenë infrastrukturë moderne që ti përgjigjet standarteve bashkëkohore të turizmit" shprehen të dy.
Krahas vlerave natyrore që ofrojnë plazhet ato kanë një privilegj të përbashkët që i bënë më tërheqëse, pasi shumë pranë, rreth 8-9 km ndodhet qyteti antik i "Apollonisë", një nga qëndrat më të rëndësishme të turizmit historik shqiptar.
"Kanë ardhur edhe turistë të huaj, por ata kërkojnë të tjera kushte dhe standarte, vënde akomodimi ku të relaksohen dhe të shijojnë guzhinën e preferuar tradicionale.Vetëm investimet e fuqishme në rrjetin e hotelerisë ,sipas një plani të studiuar urban do ta eksplorojnë plotësishtë këtë bregdet me bukuri dhe vlera të rralla natyrore", mendojnë Zarka e Selaci.
Përfundimi i segmentit rrugor që lidh rrugën nacionale Fier-Seman me plazhin e Darëzesës ka rritur ndjeshëm interesin e pushuesve për këtë plazh. "Çdo ditë Darëzezën e frekuentojnë rreth 15.000 pushues ditorë ndërsa ditët e shtuna dhe të djela numri shkon në rreth 25.000 vetë, falë rikonstruksionit të rrugës, investim i qeverisë në vlerën rreth 95 milionë lekë", thotë Selaci.
Ai kërkon turizmin bashkëkohor, ndërtimin dhe miratimin e një plani urban, fshatrave turistikë për të thithur turistët e huaj që vizitojnë "Apolloninë".
"Në këtë zonë ka rreth 15 lokale që afrojnë guzhinën tradicionale vëndase dhe kompleksi "Edion" me rreth 180 shtretër, që janë të pamjaftueshëm për peshën e vlerave turistike që mbart zona. Nuk vetëkënaqemi, por shpresojmë që ky të jetë vetëm fillimi i një klime të re turistike në plazhet tona" shton kryetari i komunës së Darëzezës, Selaci./n.m/