English

Reportazh/ Himare: Rruga E Re Shton Pushuesit Ne Dhromadhes

HIMARE, 12 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Plazhi i Dhromadhes në Dhërmi u mbush si asnjëherë në të dielën e dytë e korrikut nga pushues më të shumtë se kurrë më parë. Ndërtimi i rrugës, që përfundoi pak ditë më parë është shkaku që kjo pjesë e bregdetit të frekuentohet në këtë masë. "Pak ditë më parë përfundoi rruga me gjatësi 4-5 km që lidh aksin kryesor me plazhin e Dhromadhes dhe kjo ka lehtësuar qarkullimin e automjeteve", thotë Marko Daflla, kryeplak i fshatit Dhërmi, që shton se ndërtimin e bëri qeveria për të lidhur një nga plazhet më të bukur të bregdetit të Himarës, me rrugën kryesore. "Deri vjet, rruga ishte një shteg me gurë dhe gropa, ku qarkullimi i automjeteve ishte mjaft i vështirë dhe numri i pushuesve ishte jo i madh", nënvizon Daflla. Rruga e ndërtuar me të gjithë parametrat inxhinierikë, ku lëvizja përgjatë saj është mjaft komode ka sjellë këto ditë korriku, jo vetëm shumëfishimin e numrit të pushuesve, por edhe rritje të numrit të bizneseve, lokaleve të shërbimit. "Nuk e kishim parashikuar këtë fluks, prandaj na gjetët disi të papërgatitur, se nuk na mjaftojnë shezlonët", thotë një nga punonjësit e kompleksit "Loli Pop", që shton se numri i pushuesve është të paktën tre herë më i lartë, krahasuar me një ditë piku në verën e vjetshme. Berti, një i ri nga Vlora, që po ndërton një lokal në mjedisin e gjelbërt pranë plazhit, thotë se rruga e re e nxiti të përshpejtonte ritmin e ndërtimit. "Mendoja ta përfundoja lokalin vitin e ardhshëm, por më leverdis ta mbyll këto ditë duke parë se sa pushues po vijnë, që me siguri do të shtohen në javët e tjera", thotë ai. Në fakt mjafton vendparkimi i mjeteve për të kuptuar nivelin e krahasimit. Të dielën e djeshme përgjatë gjithë plazhit, pas orës 10.00 ishte e pamundur të gjeje një vend të lirë për të parkuar autoveturën. Kompleksi "Loli pop" mbetet mjaft i frekuentuar nga pushuesit, kryesisht nga Tirana, të rinj dhe të reja, që e zgjedhin për të kaluar fundjavën, apo disa ditë pushimi. Arnilda, një 22 vjeçare kryeqytetase, frekuentuese e rregullt prej disa vitesh e këtij plazhi, thotë se, "Dhromadhes ofron mundësi për një relaks të pazakontë". Në sfond, muzika që shpërndajnë bokset e kompleksit e bëjnë edhe më të këndshme një ditë pushimi në këtë plazh. /a.ke/
KOMENTE