Uashington, 12 Korrik, NOA – Kompania “British Petrolium” ka për t’ia dalë mbanë në përpjekjen më të fundit për të ndalur rrjedhjen e naftës në Gjirin e Meksikës.
Kështu të paktën shpreson qeveria amerikane, ndërsa kompania naftë-nxjerrëse ka ndërmarrë hapin më të fundit për vendosjen e një tubi, i cili do të pengojë rrjedhjen e mëse 8 mijë fuçive naftë në ditë.
Këshilltari i presidentit Obama, Dejvid Akselrod, tha se Shtëpia e Bardhë beson që me vendosjen e sistemit të ri nga kompania BP, do të shënohet përparim në ndalimin e rrjedhjes së naftës.
“Kur të vënë kapakun e ri, ata do të zgjerojnë kapacitetin për grumbullimin e naftës në 80 mijë fuçi në ditë”, ka deklaruar ai lidhur me një fakt të tillë.
Duke shtuar se shpresohet që në fund të këtij muaji, të ndalohet e tërë nafta që po del nga ky pus, megjithëse të gjithë janë të ndërgjegjshëm se për ta mbyllur atë do të duhet më shumë kohë.
Vetëm para dy ditësh, ekspertët e “British Petrolium” hoqën kapakun e vjetër që ishte vendosur aty për të grumbulluar naftën në fillim të qershorit dhe tubi ri, thuhet se mund të vendoset që sot.
Kapaku i ri që është më i sigurt, mund të vendoset qysh sot.
Këtë fundjavë, nënkryetari i kompanisë BP, Kent Uells, tha se ishte i kënaqur me përparimin e bërë. Por ai tërhoqi vërejtjen se sfidat do të ishin të pranishme. BP thotë se shpreson që vendosja e kapakut të zgjasë nga tri deri në gjashtë ditë.
Kompania gjithashtu po shpon dy puse të tjera për të ulur presionin e rrjedhjes në pusin kryesor. Puna në njërin nga këto puse pritet të mos përfundojë të paktën deri nga mesi i muajit të ardhshëm.
n.e/NOA