English

Sejdiu: Tadiç, të distancohet nga grupet ekstremiste në Veri

Prishtinë, 12 Korrik, NOA – Presidenti serb, Boris Tadiç, duhet të distancohet nga grupet ekstremiste në veri të Kosovës, të cilat po krijojnë tensione dhe dhunë.

Kështu ka deklaruar sot kreu i shtetit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, sipas të cilit, Bashkimi Evropian duhet t’ia bëjnë të qartë Serbisë se nuk mund të synojë, anëtarësimin në strukturat euro-atlantike pa hequr dorë nga politika e saj aktuale ndaj Kosovës.

Ndërsa në lidhje me çështjen e shkëmbimit të territoreve, ai tha se idetë për lëvizje kufijsh janë të rrezikshme, në veçanti për rajonin e Ballkanit, kur dihet se ai ka patur shumë të tilla në të kaluarën.

Të tilla deklarata presidenti Fatmir Sejdiu, i bëri në fjalimin vjetor përpara deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku vlerësoi se zyrtarët në Beograd duhet të distancohen nga veprime që destabilizojnë rajonin e Ballkanit.

"Ftoj zyrtarët e Beogradit, edhe presidentin Tadiç, të distancohet nga grupet e tilla që nxiten dhe përkrahen për të shkaktuar tensione dhe dhunë", tha Sejdiu.

Duke dënuar dhunën e para më shumë se një jave në veri të Mitrovicës, kur nga një shpërthim i pasqaruar u vra një pjesëtar i komunitetit boshnjak dhe u plagosën 11 qytetarë serbë, pa harruar edhe rastin e plagosjes së një deputeti serb, ai tha së të gjitha këto gjëra nuk duhej të kishin ndodhur.

n.e/NOA

KOMENTE