English

Serbët lejojnë turqit pa viza, Erdogan sot në Beograd

Beograd, 12 Korrik, NOA – Beogradi zyrtar ka lejuar lëvizjen e lirë të shtetasve turq brenda territorit të Serbisë dhe për ta përshëndetur një gjë të tillë, sot atë do ta vizitojë vetë kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan.

Lajmi bëhet me dijeni nga mediat e të dyjave vendeve, sipas të cilave fakti që turqit mund të lëvizin pa viza drejt Serbisë duhet përshëndetur si një hap i ri diplomatik mes dy palëve.

“Qeveria vendosi heqjen e vizave për të gjithë qytetarët turq që janë të pajisur me një pasaportë”, e ka konfirmuar një gjë të tillë zëdhënësi i qeverisë serbe, Milivoje Mihajlloviç.

E ndërsa nendimi për heqjen e regjimit të vizave për shtetasit turq hyn sot në fuqi, parashikohet që në Beograd kreu i qeverisë turke, Rexhep Taip Erdogan të takohet me presidentin serb Boris Tadiç, kryeministrin serb Mirko Cvetkoviç si dhe zyrtarë te tjerë të lartë.

Bëhet me dijeni ndër të tjera se gjatë bisedimeve në Beograd delegacioni turk do të nënshkruajë memorandumin mbi mirëkuptimin për realizimin e ndërtimit të pjesës së autostradës Lig-Çaçak-Pozhega që është pjesë e autostradës Beograd-Adriatiku jugor. Gjithashtu do firmoset marrëveshja kornizë mbi realizimin e projektit të rikonstruktimit të rrugës shtetërore M8 nga Novi Pazari deri në Alinoviç.

n.e/NOA

KOMENTE