Shqipëria Progres Në Arritjen E Objektivave Të Mijëvjeçarit
Intervistë ekskluzive për ATSH-ne, e përfaqësues së përhershme të PNUD-it në Shqipëri, Gülden Türköz Cosslett
TIRANË, 12 Korrik/ATSH-Erla Gjikolli/-Shqipëria, pas miratimit të Deklaratës së Mijëvjeçarit një dekadë më parë, po dëshmon progres drejt arritjes së Objektivave të Mijëvjeçarit në të gjitha objektivat dhe treguesit saj vlerëson Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD).
Rrjeti global i OKB-së, që mbështet që nga viti 1991 aspiratat e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian vlerëson se "Shqipëria është në rrugë të mbarë për arritjen e objektivave të saj drejt zhvillimit".
Në një intervistë eskluzive për ATSH-në, përfaqësuesuesja e përhershme e PNUD-it në Shqipëri, Gülden Türköz Cosslett, e cila e ka marrë detyrën në vitin 2005, thotë se "tashmë duket qartë se rritja e fuqishme ekonomike e Shqipërisë që pas vitit 2000, do të kontribuonte në arritjen e shumë objektivave të saj të Mijëvjeçarit shumë kohë përpara afatit të përcaktuar, viti 2015, edhe pse disa objektiva u dukën më të vështira për t'u arritur".
Gjatë dekadës së fundit, sipas Cosslett, u konstatua se Objektivat e Mijëvjeçarit do të përafroheshin më mire me objektivat e integrimit europian. Për këtë arsye, qeveria rishikoi dhe ripërcaktoi një numër objektivash në kuadër të Mijëvjeçarit, duke i bërë ato më ambicioze. Ky ishte rezultat in një procesi të gjerë konsultimi nën drejtimin e qeverisë.
"Objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit u përafruan me strategjinë kombëtare të zhvillimit, duke e shndërruar Shqipërinë në vendin e pare që përcaktoi nën-objektivat dhe synimet kombëtare për planifikimin e zhvillimit rajonal", vijon Cosslett, duke shtuar se "tetë objektivat kryesore u mbështetën zyrtarisht nga Kuvendi i Shqipërisë përmes një rezolute dhe në të u përfshi edhe një objektiv i nëntë i veçantë për qeverisjen e mirë".
Ky angazhim, sipas saj, bëri që progresi i Shqipërisë drejt arritjes së Objektivave të Mijëvjeçarit të dëshmohet në të gjithë treguesit e saj.
"Varfëria absolute është ulur në 12.4% në vitin 2008, ose është gati përgjysmuar në krahasim me nivelin e varfërisë së vitit 2002. Arritje janë shënuar gjithashtu edhe në treguesit që i takojnë ushqyerjes dhe rritjes së fëmijëve. Prevelanca e fëmijëve nën peshë nën moshën 5 vjeç, u ul në 6% në vitin 2009, krahasuar me 14% që ishte në vitin 2000. Përqindja e numrit të fëmijëve nën peshë ra në 5 % nga 14 % që ishte në vitin 2000", argumenton Cosslett.
Shqipëria, sipas saj ka një shkallë të lartë arsimimi dhe regjistrimi në shkolla (98.1%) në të gjitha nivelet e arsimit, përfshi edhe arsimimin bazë.
"Megjithatë, numri mesatar i viteve të shkollimit, që është 11.2 vjet, mbetet ende nën numrin që kanë vendet evropiane dhe ato ballkanike. Shpenzimet e qeverisë për sistemin e arsimit janë rritur në nivelin 3.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) krahasuar me 3% të PPB-së që ishin në vitin 2004. Por niveli i shpenzimeve në arsim mbetet i ulët krahasuar me mesataren prej 5% të PBB-së së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian", thotë Cosslett.
Ajo shprehet pozitivisht edhe për faktin që përqindja e grave të punësuara në administratën publike ka arritur në 58% dhe është më e lartë se objektivi prej 50% që është përcaktuar për t'u arritur në vitin 2015.
Megjithatë, Cosslett shton se "përqindja e grave në punën e paguar në sektorin jo-bujqësor është aktualisht 32%, ose më pak se niveli 50 për qind i përcaktuar për t'u arritur në vitin 2015".
PNUD vëren se vendi ynë është në rrugë të mbarë për rënien e vazhdueshme të nivelit të vdekjes së fëmijëve dhe vdekshmërisë foshnjore.
Cosslett vuri në dukje se "ekziston një probabilitet mesatar që Shqipëria të arrijë objektivat e saj për mjedisin deri në vitin 2015. Synimi për përqindjen e zonave të mbrojtura tokësore dhe detare është rritur nga 11.4% në 14%, një mundësi mesatare për arritjen e objektivave përfundimtare për mjedisin.
Lidhur me partneritetin global, Cosslett vlerëson se "ndihma e raportuar në buxhetin e shtetit është rritur nga 32% në 73%, dhe Shqipëria po avancon drejt arritjes së objektivit me 85% deri në vitin 2015".
Por Cosslett veçon se suksesi më i madh dhe domethënës, shumë vite përpara afatit të vitit 2015, është arritur për sa i takon objektivit të qeverisjes elektronike (e-governance).
"Gjatë dy viteve të fundit, Shqipëria ka dëshmuar rritje në disponimin dhe ofrimin e shërbimeve elektronike. 20% e shërbimeve parësore që qeveria u siguron bizneseve ofrohen në nivele bashkëvepruese. Në bazë të Indeksit të OKB-së për Pjesëmarrjen Elektronike në vitin 2010, Shqipëria arriti në 82.17 % krahasuar me nivelin e vitit 2008, një nga nivelet më të larta të përmirësimit në të gjithë rajonin", shton ajo.
Përmirësimi i qeverisjes me qëllim përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian është një objektiv shtesë i mijëvjeçarit i përcaktuar nga Shqipëria. Sipas PNUD-it, me përjashtim të treguesit për stabilitetin politik, që ka shënuar një rritje të lehtë, pesë treguesit e tjerë kanë njohur përmirësime të pakta gjatë viteve të fundit.
Cosslett vë në dukje se"arritja e niveleve të përcaktuara për standardet europiane të qeverisjes, shteti ligjor dhe vendosja nën kontroll e korrupsionit do të vijojnë të jenë në veçanti sfiduese, veçanërisht në aspekte që kanë të bëjnë me të drejtat e pronës, sistemin shëndetësor dhe trajtimi i rasteve të dyshuara të korrupsionit".
Synimet dhe objektivat aktuale në kuadër të Mijëvjeçarit janë përshtatur më mire për të plotësuar përpjekjet për nxitjen e përfshirjes sociale, por Cosslett pohoi se "procesi Acquis Communautaire duhet të shoqërohet me rritje të investimeve në çështje sociale, ndërtimin e sistemeve të mirëqeverisjes dhe kapaciteteve të zhvillimit për të garantuar përmirësime të vazhdueshme për sa i takon mirëqenies së popullit shqiptar". (vijon) /u.sh//n.m/