English

Sport-Botëror/ Iniesta - Shnajder, Dyshja Kandidate Për 'Topin E Artë"

- Mesfushori holandez dhe ai spanjoll janë kandidatët më të fortë për të bërë të vetin trofeun më të rëndësishëm personal. Por nuk duhet nënvlerësuar as Diego Forlan- . TIRANË, 12 Korrik/ ATSH- Gjergji Mima/ - Fitimi i Kupës së Botës ka një ndikim të madh në mundësitë e kandidatëve për "Topin e artë". Për shembull, në 1998-ën e fitoi Zinedin Zidan, në vitin 2002 Ronaldo dhe në 2006-ën Fabio Kanavaro. Të tre triumfatorë me kombëtaret në kampionatin botëror. Ja pse spanjollët kanë mundësi të mira për të konkurruar. Sidomos Iniesta. Në fakt, tre janë kampionët e botës që mund të rivalizojnë denjësisht: Andres Iniesta, Ksavi Hernandez dhe David Vila. I pari realizoi golin që i dha kampionëve të Europës të parin titull botëror në historinë e tyre. Mbi të gjitha, në finalen me Holandën, kampioni i Spanjës me Barcelonën ishte më i miri në fushë, duke zhvilluar një paraqitje të jashtëzakonshme e cila mund ta ndihmojë në sprintin final. Pas tij, shoku i repartit te kombëtarja spanjolle dhe te Barcelona, Ksavi, prej vitesh i konsideruar më i miri në rolin e vet, si dhe David Vila, një nga golashënuesit më të mirë të botërorit, me pesë gola. Nëse njëri prej tyre ia del, atëherë bëhet i pari spanjoll pas 50 vitesh. I fundit që e ka fituar "Topin e artë" është Luis Suarez në 1960-ën. Rivali më i fortë për Iniestën është Uesli Shnajder, protagonist i një sezoni fantastik me fanellën e Interit dhe udhëheqësi i Holandës në kampionatin botëror. Kombëtarja tulipane arriti në finale edhe falë pesë golave të tij. Pastaj, të mos harrojmë që fantazisti 26-vjeçar, deri në janar kur merret vendimi, ka edhe dy mundësi të tjera: Superkupën e Europës dhe botërorin e klubeve. Por, diskutimi për Superkupën e Europës vlen edhe për Forlanin e Atletiko Madridit, fitues i "Topit të artë të botërorit" akorduar nga FIFA. Është pikërisht sulmuesi që me pesë gola udhëhoqi Uruguajin deri në gjysmëfinale dhe Atletikon drejt fitimit të Ligës së Europës, me dy gola në finale përballë Fulhamit që për pak nuk bëri surprizën. Një shkallë më poshtë qëndron Milito, i favorizuari i madh në fillim të botërorit pas dopietës në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Bajernit dhe titullit kampion në Itali me Interin, por viktimë e zgjedhjeve të Maradonës në kombëtaren e Argjentinës. Po ashtu, edhe Robeni, kampion i Bundesligës dhe fitues i Kupës së Gjermanisë me Bajernin. Por mbi sulmuesin holandez qëndrojnë hijet e dy rasteve të pastra të humbura në ndeshjen që vlente më tepër. /a.ke/
KOMENTE