Sport-Botëror/ Mediat E Huaja, "Spanja Kampione E Dyfishtë, Holanda Duhet Të Presë Ende"
TIRANË, 12 Korrik/ ATSH- Gjergji Mima/ . - "Campeones, campeones", këto janë titujt e parë të gazetave më të mëdha iberike pas triumfit të përfaqësueses së tyrë në Afrikën e Jugut 2010. Por ndryshe nga 2 vjet më parë, tani jemi kampion bote.
Mediat spanjolle e cilësuan fitoren e Kupës së Botës, si një "drejtësi poetike", për lojën e bukur të Spanjës përballë taktikave negative të Holandës. Nën titullin "Kampionët e Botës", gazeta "El Pais" shkruan se spanjollët demonstruan stilin e tyre të lojës, ndërsa holandezët ishin të vrazhdë në fushë.
"Sot vendosim edhe ne yllin në fanelën tonë, Iniesta na çon në qiell", kështu ka vendosur ta titullojë shkrimin e saj sportivja "Marca", e cila thekson se ky brez i artë pas kupës së Europës solli në Spanjë edhe trofeun më të madh në botë. Gazeta sportive "Marca", duke kritikuar skuadrën holandeze për lojën e dhunshme, nënvizon se spanjollët arritën të tregojnë superioritet.
Po të njëjtin titull ka vendosur edhe gazeta tjetër "AS", e cila shpreh habi sesi një popull kaq futbolldashës ka pritur kaq shumë për një kupë bote.
"Tani jemi superkampionë", shkruan "Sport", ndërsa "El Pais" thekson se "11 korriku duhet të shëndërrohet në një festë kombëtare për popullin spanjoll".
"Futbollistët e artë - shkruhet në komentin e kësaj gazete - na dhurojnë një tjetër kënaqesi, këtë herë më të madhe". "Ëndrra është bërë realitet", përfundon shkrimi i kësaj gazete. "Spanja është kampione bote", është shkrimi i "La vanguardias", e cila thekson se sharmin e Cruyffit dhe shokëve të tij në vitet '70 e kanë trashëguar iberikët dhe jo pasaardhësit e holandezëve të mëdhenj.
Spanja, kampionia e re e botës, ka shkruar gazeta gjermane "Bild" e cila nuk ka harruar të përmendë edhe oktapodin Pol i cili ishte 100% i saktë në parashikimet e tij.
Në Holandë, mediat vendase shprehën zhgënjim dhe trishtim për humbjen në finale, por i thurrën lavde lojtarëve, duke shkruar se luftuan si luanë. Gazeta "Volkskrant" mban si kryetitull "Ende jo", pasi Holanda shkoi në një finale botërori për herë të tretë, por humbi sërish. Më tej, "Volkskrant" pohon se skuadra spanjolle ishte më mirë se ajo holandeze. /a.ke/