Tepelenë: Policia Asgjeson 220 Rrënjë Bimë Narkotike, Ndalohen Dy Vëllezër
TEPELENË, 12 Korrik/ATSH-Telnis Skuqi/ - 220 bimë narkotike u agjesuan mbasditen e sotme në fshatin Kamçisht, në komunën Qesarat, rreth 20 km larg Tepelenës, ndërsa dy vëllezër u ndaluan nga policia lokale për kultivim të bimëve narkotike.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë e Qarkut të Gjirokastrës, thanë për ATSH-në se "Myslym dhe Sali Çaushi, përkatësisht 55 dhe 50 vjeç, u ndaluan pasi ekspertët e antidrogës identifikuan në kullotën në pronësi të tyre një parcelë me 220 rrënjë bimë narktotike".
Të njëjtat burime thanë se bimët narkotike varionin nga 80 deri në 120 centimetra lartësi.
Ky është i katërti rast gjatë këtij viti që Policia e Qarkut të Gjirokastrës ndalon në kushtet e flagrancës shtetas që kultivojnë bimë narkotike./s.s./