Tiranë, Rendi Në 48 Orë
TIRANË, 12 Korrik /ATSH / - Në Tiranë gjatë 48 orëve të fundit nën akuzën e veprave penale në prangat e policisë së kryeqytetit kanë përfunduar 5 shtetas të akuzuar për "vjedhje", ndërsa për armëmbajtje pa leje u arrestua në kushtet e flagrancës Klodian Kulla, 23 vjeç.
Burime zyrtare nga Policia e Tiranës, bënë të ditur të hënën për ATSH-në se, "nën akuzën e "vjedhjes së një magazine", në prangat e Policisë së Tiranës përfunduan shtetasit Zef Nikolli dhe Shpend Bega, 19 dhe 23 vjeç. Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi armë të ftohta tip bajonetë dhe materialet e vjedhura, si lavatriçe, frigorifer, pompa lavazhi, etj, ndërsa po punohet për dokumentimin e plotë të disa vjedhjeve të tjera, ndodhur në Tiranë, ku dyshohet se këto shtetas tentuan disa herë të vjedhin banesa të ndryshme".
Për vjedhjen e një banese në Vorë, Policia arrestoi 18 vjeçarin David Dule, ndaj të cilit Gjykata e Durrësit, në 3 korrik të këtij viti, ka dhënë vendimin "arrest me burg" për vjedhjen e një hoteli në Golem. Është arrestuar nga blutë e Komisariatit të Policisë së Kavajës 23 vjeçari Jeton Veizi, i dënuar më parë për "vjedhje". Sipas burimeve, ndaj tij, Gjykata e Kavajës dha në maj 2001 masën e sigurimit "arrest në burg", për veprën penale të "vjedhjes".
Materialet hetimore në ngarkim të këtyre shtetasve, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës për hetime të mëtejshme./m.sh//n.m/