English

Unioni i Gazetarëve letër Topit: Rasti Pango, ndalni përplasjen e gjyqësorit me mediat

Tiranë, 12 Korrik, NOA – Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, përmes një letre të hapur, drejtuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, njëkohësisht edhe në postin e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i ka kërkuar atij që të ndalë përplasjen negative të gjyqësorit me mediat.

“Nisur nga një shqetësim serioz, i cili buron nga një proces i hapur gjyqësor ndaj njërës prej mediave më kryesore në vend, kanalit televiziv “Top Channel”, duke besuar tek autoriteti juaj si kryetar i KLD-së, kërkojmë që në ecurinë e mëtejshme të këtij procesi të ndikoni që asnjë prej gjykatësve të mos ndikohet nga të tjerë”, thuhet në letrën e UGSH-së.

Duke shtuar “vendimi dhe penaliteti financiar që gjyqtari ka dhënë ndaj Top Channel për çështjen Pango, ka drithëruar gjithë komunitetin e gazetarëve profesionistë”.

“Organizata jonë dhe shumica e mediave të vendit, kanë ngritur publikisht shqetësimin se një vendim i tillë, penaliteti që ai përmban, përbëjnë një masë të padrejtë ndëshkimore për një ent dhe trupë mediatike në vend. Ky është penaliteti më i lartë financiar që jepet në historinë e gjykatave shqiptare për një media private, ndërkohë që ky vendim, ndonëse i padiskutueshëm sipas Kushtetutës, ka hapur debate të fuqishme interpretimi në komunitetin e juristëve dhe sidomos, ka shkaktuar një jehonë të madhe ndërkombëtare, duke u vlerësuar si një përplasje me kontekste jo profesionale mes gjyqësorit dhe mediave të vendit”, thuhet më tej në këtë deklaratë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është i mendimit se ky vendim kompromenton besueshmërinë ndaj drejtësisë që japin individë si gjykatësi në fjalë, ndërsa ai ka tërhequr maksimalisht vëmendjen e mediave dhe gazetarëve profesionistë rajonalë dhe ndërkombëtarë.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, për këtë proces të saponisur, i është drejtuar Federatës Botërore të Gazetarëve, Reporterëve Pa Kufi dhe disa shoqatave të tjera prestigjioze në Botë për të ndjekur me vëmendje këtë proces gjyqësor, i cili sipas të gjitha gjasave, po listohet si një marrëdhënie keq-funksionuese mes dy pushteteve në shoqërinë e sotme demokratike shqiptare”, thuhet më tej në deklaratën e UGSH-së.

Duke shtuar se për këtë arsye, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ushqen besimin se vëmendja institucionale e Presidentit do të ndikojë për pasjen e një procesi të pandikuar dhe do t’i shërbejë inkurajimit të misionit jetik që media ka në një shoqëri ku korrupsioni më së shumti ka prekur dhe mban të mbërthyer sistemin e drejtësisë.

n.e/NOA

KOMENTE