English

Urdhëri "Mjeshtër I Madh" Për Mjekun Spiro Qirko

- Presidenti Topi dekoron kardiologun e shquar - TIRANË, 12 Korrik/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot mjekun kardiolog, Prof. Spiro Qirko me Urdhërin "Mjeshtër i Madh", me motivacionin "Personalitetit të shquar të mjekësisë shqiptare, me kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e shërbimit shëndetësor në vend, veçanërisht, të kardiologjisë, si dhe në përgatitjen e brezave të mjekëve të rinj." Gjatë një ceremonie në Presidencë, ku ishin të ftuar personalitete të shumtë të fushës së mjekësisë, Presidenti Topi vlerësoi prof. Qirkon, që në karrierën e tij profesionale ka demonstruar të qënit humanist, ashtu si e kërkon rregulli i Hipokratit, duke ndërtuar mbi të një karrierë të shkëlqyer profesionale. Sipas kreut të shtetit, karriera e mjekut Qirko ka vlera jo vetëm në terrenin kombëtar, por dhe në tryezat e simpoziumet ndërkombëtare, ku ajo që ai demonstron është pjesë e një përfaqësimi shumë elitar. Nga ana e tij prof. Qirko tha se dekorimi i tij ëhtë një vlerësim që nuk mund të përvijohet brenda kontureve të një individi. "Në kohën e sotme, arritjet janë të suksesshme vetëm atëherë kur individët janë pjesë e stafeve të fuqishme cilësore. Unë pata fatin të jem pjesë e një stafi kardiologjik të konsoliduar me tradita të kahershme, ku breza të njëpasnjëshëm, falë kësaj tradite dhe shkolle, kanë ndërtuar me shumë vullnet ndërtesën e kardiologjisë shqiptare", tha ai. /a.s//n.m/
KOMENTE