English

Alarmet nga zjarret vënë në lëvizje Forcat e Armatosura

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami inspektoi stërvitjen “Gjinari 10”

Elbasan, 13 korrik 2010 NOA - Në rajonin e komunës së Gjinarit të Prefekturës së Elbasanit u zhvillua stërvitja “Gjinari 10”. Në fokus të kësaj stërvitje ishin veprimet e Brigadës së Mbështetjes Rajonale në ndihmë të komunitetit në rast zjarri.

Për të ndjekur nga afër zhvillimin e stërvitjes “Gjinari 10” ishte ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, zv.ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneral brigade Maksim Malaj, komandanti i Brigadës së Mbështetjes Rajonale, gjeneral brigade Abaz Lleshi, komandanti i Brigadës Logjistike, gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm etj.

Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues nga Ministria e Brendshme, drejtues të pushtetit vendor, si dhe mjaft banorë të zonës.

Qëllimi i organizimit dhe zhvillimit të kësaj stërvitje ishte rritja e mëtejshme e aftësive planëzuese dhe drejtuese të strukturave ushtarake, koordinimi i punës me strukturat e tjera pjesëmarrëse në operacionet humanitare që zhvillohen në ndihmë të komunitetit civil të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

Në këtë stërvitje morën pjesë forca e mjete nga Komanda e Mbështetjes Rajonale të Elbasanit, nga Batalioni i Kërkim-Shpëtimit dhe Batalioni i Xhenios të Brigadës së Mbështetjes Rajonale në Tiranë, grupe e struktura nga komuna e Gjinarit, nga Policia Pyjore, Policia e Rendit dhe sektori i Mbrojtjes nga Zjarri të Prefekturës së Elbasanit.

Në skenarin e kësaj stërvitjeje presupozohej se, për shkak të rritjes së temperaturave të stinës së verës, në masivet pyjore të zonës turistike të Gjinarit janë krijuar disa vatra zjarri. Organet e pushtetit vendor, ndonëse kanë nisur veprimet për parandalimin e kësaj fatkeqësie natyrore, nuk munden ta parandalojmë dhe për këtë qëllim i kërkojnë ndihmë Forcave të Armatosura dhe më konkretisht forcave të Komandës së Mbështetjes Rajonale në Elbasan dhe Komandës së Brigadës së Mbështetjes Rajonale në Tiranë. Në saj të një bashkëpunimi mjaft funksional midis këtyre forcave e mjeteve, disiplinës, përkushtimit dhe profesionalizmit të lartë të treguar nga të gjithë trupat e përfshira në këtë detyrë, bëhet e mundur që zjarret të fiken dhe demet materiale dhe njerëzore të jenë shumë të pakta.

Në këtë stërvitje u angazhuan 210 forca dhe 24 mjete të ndryshme si makina zjarrfikëse, autobote, autoambulanca dhe mjete të tjera transporti. Ra në sy përgatitja e lartë profesionale jo vetëm e efektivave të strukturave ushtarake, por edhe të policisë pyjore, të policisë së rendit, të banorëve të komunës etj, të cilët manifestuan gatishmëri dhe shpirt të lartë sakrifice gjatë kryerjes të veprimeve luftarake, sipas të gjitha situatave të paraqitura.

Forcat e Armatosura, në zbatim të misionit të tyre kushtetues, ka theksuar më pas z. Imami, duhet të përgatiten për të gjitha llojet e emergjencave, si për shuarjen e zjarreve ashtu edhe për fatkeqësitë e tjera natyrore si tërmetet, përmbytjet etj.

Z. Imami vlerësoi veçanërisht angazhimin e strukturave të Brigadës së Mbështetjes Rajonale në përballimin e disa operacioneve në ndihmë të komunitetit civil gjatë këtij viti, si dhe tërhoqi vëmendjen në disa drejtime që duhet të bëhen objekt i punës së kësaj njësie për të ardhmen.

Ai kërkoi që të rritet më shumë gama e stërvitjeve që kanë si mision operacionet humanitare dhe ato të emergjencave civile, duke hartuar skenarë më të detajuar për të gjitha llojet e operacioneve që ka për mision kjo Brigadë, e cila është njësi prioritare e Forcave tona të Armatosura.

Gjithashtu, gjatë fjalës së tij ministri Imami ka vlerësuar dhe falënderuar drejtuesit dhe banorët e komunës së Gjinarit për angazhimin e tyre serioz në këtë stërvitje dhe, në këtë kontekst, ka evidentuar traditat atdhetare të kësaj krahine të mirënjohur jo vetëm në rrethin e Elbasanit, por në të gjithë Shqipërinë.

Më pas, ministri i Mbrojtjes Imami, i shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Maksim Malaj dhe të ftuar të tjerë takoi nga afër trupat pjesëmarrëse në këtë stërvitje dhe i ka falenderuar edhe njëherë për angazhimin e tyre dhe profesionalizmin e treguar në kryerjen e detyrave funksionale.

a.k/NOA

KOMENTE