English

Arrestohen 3 zyrtarë të Burgut të Rrogozhinës, ndërmjetësi shpallet në kërkim

Rrogozhinë, 13 Korrik, NOA – Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, katër punonjës të sistemit të Burgjeve kanë arritur të përfitojnë shuma parash në këmbim të favoreve të jashtëligjshme për disa të dënuar.

Lajmi i konfirmuar zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme për agjencinë e Lajmeve NOA, bën me dije se ata janë konkretisht drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Pajtim Murrja, si edhe dy specialistë të edukimit në këtë burg, Denis Tosku dhe Ismail Çumani, që të tre të vënë në prangat e policisë.

Ndërsa personi i katërt, tashmë i shpallur në kërkim, mësohet se është Fatos Gosa, me funksionin e ndërmjetësit në këto pazare, me pronësi një lokal në Peqin, i cili arrinte të krijonte lidhjet në këtë ambjent, mes të afërmve dje të burgosurve me zyrtarët e burgut të Rrogozhinës për përfitime lejesh me kusht.

Burimet pranë Prokurorisë pohojnë se hetimet rreth këtij fenomeni kane nisur që në muajin mars të këtij viti, nga një Task–Force e ngritur pranë organit të akuzës në Durrës, ku pas përgjimeve dhe vëzhgimeve në terren, është arritur të provohet korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës së këtyre zyrtarëve të ndaluar.

Konkretisht, tre zyrtarët e burgut të Rrogozhinës në bashkëpunim edhe me një Gosën, si ndërmjetës i jashtëm që luante rolin e “sekserit”, kanë favorizuar të dënuarit në dhënien e lejeve shpërblyese dhe atyre të veçanta në kundërshtim me ligjin, kundrejt rryshfetit.

Ky procedim penal është regjistruar mbi bazën e referimit të shërbimit të kontrollit të brendshëm të ministrisë së Drejtësisë, i cili referohet për veprime korruptive, ndërsa po vazhdojnë hetimet nga ana e prokurorisë për zbardhjen e gjithë skemës së kësaj veprimtarie të jashtëligjshme.

n.e/NOA

KOMENTE