English

Arrestohen Tre Zyrtare Të Burgut Të Rrogozhinës Për Korrupsion

-Sipas Prokurorisë së Përgjithshme- TIRANE, 13 Korrik/ATSH/. - Tre zyrtarë të Burgut të Rrogozhinës, mes tyre, drejtuesi i këtij institucioni, janë arrestuar një ditë më parë si të dyshuar në afera korruptive. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur sot se, drejtori i burgut të Rrogozhinës, Pajtim Murrja dhe dy specialistë të edukimit në këtë institucion, Denis Tosku dhe Ismail Cumani, u arrestuan pasi në bashkepunim me njëri -tjetrin dyshohet se kanë arritur të përfitojnë shuma parash në këmbim të favoreve të jashtëligjshme për disa të dënuar. Sipas prokurorisë, hetimet për këtë çështje kanë nisur që në muajin Mars të këtij viti, nga Task Forcë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, ku pas përgjimeve dhe vëzhgimeve ambientale është arritur të provohet korrupsioni dhe abuzimi me detyrën i këtyre zyrtarëve. Tre zyrtarët e lartë mendohet se kanë bashkëpunuar edhe me shtetasin Fatos Gosa, ndërmjetës i jashtëm, që luante rolin e "sekserit", duke favorizuar të dënuarit në dhënien e lejeve shpërblyese dhe atyre të veçanta në kundeshtim me ligjin, kundrejt rryshfetit. Shtetasi Fatos Gosa, pronar i një lokali në Peqin, arrinte të krijonte lidhjet në këtë ambient, mes të afërmve të burgosurve me zyrtarët (edukatorët) dhe drejtuesin e Burgut te Rrogozhines për përfitime lejesh me kusht. Aktualisht, ky shtetas është shpallur në kërkim. Nga të njëjtat burime mësohet se, procedimi penal është regjistruar mbi bazën e referimit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Ministrise së Drejtësisë, ndërkohë që hetimet nga ana e Prokurorisë vazhdojnë për zbardhjen e gjithë skemës së kësaj veprimtarie. Ndaj shtetasve të lartëpërmendur, Gjykata e rrethit Gjyqësor Kavajë ka dhëne masën "arrest me burg", nën akuzën e korrupsionit. /a.m//s.s./
KOMENTE