English

Buxheti I Rishikuar I Jep Përgjigje Presioneve Të Krizës Globale Mbi Ekonominë E Vendit

- Ministria e Financave hedh poshtë akuzat e opozitës se kjo nismë është shenjë e krizës së ekonomisë së vendit - TIRANË, 13 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Ministria e Financave deklaroi sot, se "buxheti i rishikuar përbën një kontribut të qeverisë shqiptare për t'i dhënë përgjigjen e duhur presioneve të krizës globale mbi ekonominë e vendit dhe për të krijuar më shumë mundësi për bizneset private në rritjen e aktivitetit të tyre". Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e Ministrisë së Financave, Anisa Serbo tha se kjo masë e qeverisë u përshëndet menjëherë nga Shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë. "Por, duke iu kundërvënë edhe këtij qëndrimi të partnerëve ndërkombëtarë, Ilir Beqja, tellalli i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, e konsideroi këtë nismë të qeverisë, si shenjë të krizës së ekonomisë së vendit. Ky monolog makbethian i opozitës shqiptare nuk ka të bëjë aspak me të vërtetat e ekonomisë shqiptare", tha Serbo. Sipas saj "për dy ditë rresht, në mënyrë publike nga Misioni i FMN-së është deklaruar se ekonomia shqiptare vijon të performojë më pozitivisht në rajon dhe nuk është në krizë, sepse masat e propozuara nga qeveria do të ndihmojnë ekonominë e vendit për t'ju kthyer ritmeve normale të rritjes". Por pavarësisht vlerësimeve nga institucionet më të besueshme ndërkombëtare, "opozita e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, thotë të kundërtën", tha Sërbo. "Një ekonomi që rrit eksportet me mbi 1.7 herë krahasuar me një vit më parë dhe ku investimet e huaja direkte rriten me 29 % në krahasim me një vit më parë, nuk mund të jetë në rënie", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Financave. Sipas deklaratës, "në këtë 5-mujor, numri i të punësuarve të regjistruar për pagimin e sigurimeve shoqërore është 17 mijë të punësuar më shumë. Një ekonomi, ku të ardhurat në buxhet janë rritur jo nga zhvlerësimi i lekut (përkundrazi leku është mbivlerësuar 4%), nuk mund të jetë në krizë, sepse prodhimi vendas është më i madh në krahasim më një vit më parë dhe po shënon rritje të mëtejshme". Sipas Ministrisë së Financave, "një ekonomi ku bizneset nuk janë izoluar nga sistemi bankar nuk është në krizë. Në muajin e fundit rritja e kreditimit është dyshifrore, në krahasim me një vit më parë. Shifrat që publikohen çdo ditë nga tellallët e Edvin Rames janë trillime dhe mashtrime, sepse asnjëherë nuk jepet publikisht burimi zyrtar i tyre. Ky burim nuk u bëhet i ditur shqiptarëve, sepse ky burim i gënjeshtërt është zyra e kryebashkiakut të Tiranës". Ndersa shifrat e rritjes ekonomike të Shqipërisë, sipas Ministrisë së Financave, "jepen nga institucionet më prestigjoze financiare ndërkombëtare". Kuvendi i Shqipërisë nisi dje diskutimet për shqyrtimin e propozimeve të qeverisë për ndryshimet në ligjin "Për buxhetin e shtetit 2010"./n.m/
KOMENTE