Dështon Sërish Miratimi I Buxhetit Për Bashkinë E Tiranës
- Këshilltarët e PD-së dhe LSI-së kanë propozuar disa përmirësime në projekt-buxhet, të cilat pritet të miratohen në mbledhjen e ardhshme -.
TIRANA, 13 Korrik/ATSH, Gjergji Mima/ - Këshilli bashkiak i Tiranës miratoi paraprakisht dy projekt- vendime për familjet në nevojë dhe të pastrehët, për të cilët u miratua lista e 91 familjeve që përfitojnë kredi të zbutur nga shteti, ndërsa nuk u arrit asnjë vendim për shqyrtimin e buxhetit për vitin 2010 për Tiranën, pasi për këtë pikë, pas debateve, u larguan këshilltarët e PS-së nga salla.
Mbledhja e sotme e këshillit bashkiak u shoqërua sërish me debate për buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2010 dhe shkak u bënë debatët mes këshilltarëve për projektin e ndërtimit të "Unazës së madhe". Nënkryetarja e Bashkisë, Albana Dhimitri deklaroi se "ky projekt është gati, por është qeveria ajo që po e pengon, duke mos kryer shpronësimet". Ndërsa këshilltarët e djathtë e kundërshtuan këtë projekt, duke theksuar se "duhet ndryshuar tabela e mbledhjes së taksave".
Kryetari i këshillit bashkiak, Sokol Dervishaj e cilësoi buxhetin e vitit 2010 si "teorik e aspak real", duke kërkuar kështu edhe një tabelë të plotë të taksave. Sipas tij "nuk do të miratohet buxheti pa këto informacione".
Ndërsa këshilltari i PD, Ferdinand Poni ka propozuar disa përmirësime për buxhetin e vitit 2010, që duhet të merren parasysh, një prej të cilave, edhe deklarimi i fondeve të mbartura nga viti 2009. Poni gjithashtu theksoi se këshilltarët e djathtë kërkojnë të dinë "planin e shpenzimeve të Bashkisë", ndërsa shtoi se "fondet duhet të kalojnë për investime e jo për fushata". Një tjetër kërkesë e tij është "paisja me listat e taksave, e padisponuar deri tani".
Në Këshillin bashkiak të Tiranës, veç pikës ku u diskutua mbi buxhetin për vitin 2010, u miratuan paraprakisht edhe dy projekt- vendime të tjera që kanë lidhje me familjet në nevojë. Një prej vendimeve ka të bëjë me miratimin e listës me 91 familje, që përfitojnë kredi të zbutur nga shteti. Një vendim tjetër i miratuar lidhet me projektin e bonusit të qirasë, ku Bashkia do të paguajë për 31 familje të pastreha, me të ardhura të pakta dhe nuk kanë mundësi për t'a paguar atë./n.m/