Tiranë, 13 korrik, NOA – Shqipëria është aktualisht vendi i cili ka shënuar më shumë transformime, krahasuar me gjithë rajonin.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije menaxheri i përgjithshëm i Bankës Europiane për Europën Qendrore dhe Juglindore, Peter Reiniger, gjatë një takimi me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, së cilës i ka shprehur konsideratat më të mira për treguesit dhe ecurinë ekonomike të vendit tonë.
Duke vlerësuar klimën e favorshme ekonomike në Shqipëri, Reiniger tha se parlamenti ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në shqyrtimin dhe miratimin e një kuadri shumë të mirë ligjor në ndihmë të biznesit.
Por edhe drejtori i ri i prezantuar prej tij në Tiranë, Fabio Serra, deklaroi se këto transformimet janë aq të mëdha sa nuk do ta njihte Shqipërinë.
“Është absolutisht vendi që është transformuar më shumë në të gjithë rajonin”, deklaroi ai gjatë prezantimit me Topallin.
Serra, i cili vjen pas 10 vitesh në Shqipëri, tha se projektet me Bankën Europiane kanë qenë shumë të suksesshme.
“Investimet po shtohen me ritëm të lartë nga viti në vit. Shqipëria vijon të ketë rritje ekonomike, kemi reformuar thuajse tërësisht sistemin fiskal dhe proceduat për biznesin, jo vetëm janë lehtësuar, por po shkojnë drejt aplikimit tërësisht online”, deklaroi ai.
Nga ana e saj, duke u ndalur në ligjet më të fundit që po shqyrtohen në parlament, kryetarja e Kuvendit veçoi atë për krijimin e Agjencisë për Investimet e Huaja, një institucion i ri që do të ketë një impakt direkt në sigurinë e investimeve të huaja në Shqipëri.
E duke përgëzuar z.Serra për detyrën e re, kryetarja e Kuvendit bisedoi mbi vijimin e projekteve konkrete në infrastrukturë, energji, por edhe turizëm.
n.e/NOA