English

Durrës: Qytetarët, Mbi 7.000 Telefonata Të Vlefshme Në Ndihmë Të Policisë

DURRËS, 13 korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Qytetarët e Durrësit dhe të Krujës janë vënë në ndihmë të forcave të policisë në dhjetra raste dhe vetëm në 6-mujorin e parë të këtij viti në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut kanë mbërritur mbi 7000 telefonata të vlefshme për veprimtarinë tonë të përditshme, tha sot për ATSH-në zëdhënësja e këtij institucioni, Ornela Çako. Njoftimet e qytetarëve me telefona janë gjithnjë e më të shumta dhe kanë patur një vlerë shumë të madhe në rastet e aksidenteve apo shkeljeve rrugore, tha Çako, duke nënvizuar se 1975 telefonata janë regjistruar vetëm në këtë destinacion. Afro 1500 telefonata kanë patur si qëllim ndihmën e publikut në rastet e prishjes së rendit, ndërsa 143 të tjera kanë qenë mjaft të rëndësishme për të shmangur dhunën në familje. Njoftimet e qytetarëve në numrat pa pagesë të policisë, që janë të publikuar në vende të dukshme thuajse në të gjitha vendet publike, kanë qenë vendimtare shpesh herë edhe në rastet e rënies së zjarrit, ngjarjeve kriminale apo të tentativave për grabitje të bankave, numri i përgjithshëm i të cilave në periudhën janar-qershor të këtij viti arrin në mbi 750. Sipas zëdhënëses Çako, në sallën operative nuk kanë munguar edhe telefonatat e rreme, por ato janë gjithnjë e më të pakta, ndërsa rritet nga viti në vit ndihma dhe bashkëpunimi konkret i qytetarëve me forcat e policisë./s.s./
KOMENTE